TIRANË, 21 janar /ATSH-Gjergji Mima/- “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”…..kjo shprehje e mishëruar në kodin e shqiptarëve, e diktuar nga historia dhe kujtesa është dëshmi e mikpritjes dhe besës tradicionale të shqiptarëve që kanë hapur dyert kurdo e kudo për çdo kënd në nevojë.
Shqipëria, e para nga vendet evropiane, hapi dyert fundgushtin 2021 për refugjatët afganë që kishin nevojë të dëshpëruar për një portë të sigurt.
Teksa nga shkallët e avionit të mbërritur nga Kabuli, filluan të zbrisnin të parët persona të larguar nga Afganistani famëkeq, në mes të errësirës shquaja jo vetëm fytyra të frikësuara, por edhe gëzim e shpresë në sytë e tyre, ku toka e shqiptarëve, krejt e panjohur për ta deri në ato momente, po kthehej në shtëpinë e tyre të sigurtë.
Siguria e shtetasve afganë, mes të cilëve edhe gra aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre, u përforcua akoma më shumë nga mikpritja personale e drejtuesve më të lartë të ndodhur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Për këta shtetas, nuk u ngritën kampe strehimi. Çdo gjë ishte mëse e koordinuar dhe e planifikuar nga qeveria duke u akomoduar në komplekse turistike.
Me veshjet e tyre karakteristike, ata mund të identifikohen lehtësisht mes turistëve të gjendur këto ditë në zonat bregdetare, në Durrës dhe Lezhë.
“Ne u arratisëm nga talebanët, pasi jetët tona ishin në rrezik në Afganistan. Talebanët na kishin paralajmëruar se do të na vrisnin”, shprehet Nuzeim Mustafa, një prej shtetasve afganë i cili na tregon për tmerret e luftës. Me zërin që i dridhej dhe frikës për fatin e familjarëve të tjerë mbetur në Afganistan, ai falënderon për mikpritjen në Shqipërinë e bukur dhe paqësore.
Ndërsa një tjetër i ri afgan, Mustafa Brou, i cili ka mundur të mbërrijë në Shqipëri së bashku me familjen e tij, rrëfen mes lotësh se situata në Afganistan është shumë e rrezikshme, pasi talebanët kanë marrë kontrollin e vendit.
“I shpëtuam ndjekjes nga talebanët. Situata në Afganistan është shumë e rrezikshme për çdo familje dhe këdo që jeton sot në Afganistan, pasi rrezikojnë të vriten”, thotë ai.
Ai shpreh mirënjohje për popullin shqiptar për mbështetjen dhe akomodimin.
“Jemi në një vend të mirë, në një hotel me 5 yje dhe çdo gjë është mbresëlënëse”, shprehet Ozra Aziz, e cila ka ardhur bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
E tillë është edhe historia e Hamasa Zeerak dhe Nikbakht Iqbalzada, dy vajza të reja afgane, studente të Universitetit Amerikan në Afgan të cilat e lanë vendin e tyre nën kërcënimin e jetës nga regjimi taleban.
Të strehuara tanimë në Shëngjin, ato rrëfejnë se çdo të thotë të jetosh një jetë të re me vendime të vështira e ëndrra të mëdha.
“Ishte vendimi më i vështirë që më është dashur të marrë në jetën time sepse nuk më shkonte në mendje që do të largohesha një ditë nga vendi im, por situata e brishtë që ndodhi në Afganistan më bëri të përballesha vetëm me një zgjedhje, të largohesha nga vendi im, për të qenë e sigurt, për të vazhduar jetën time”, shprehet Hamasa Zeerak.
Nikbakht Iqbalzada, një tjetër studente afgane tashmë në Shqipëri, thotë se largimi ishte gjëja më e vështirë që mund të bënte gjatë 20 viteve të jetës së saj. “Bëmë më të mirën për t’u arsimuar, për t’i shërbyer vendit, të gjithë brezit, por gjithçka u shkatërrua brenda natës. Kështu që i jam shumë mirënjohëse qeverisë shqiptare, që na mirëpritur me të gjithë respektin dhe dashurinë që mundën”, shprehet ajo.
Albi, afgani- shqiptar
Mes forcës së ëndrrave të prera në mes dhe shpresës për të ringritur të ardhmen, afganët e strehuar në Shqipëri duke se kanë gjetur lirinë e humbur.
Fundshtatori do të gëzonte dy prindër afganë me ardhjen në jetë të djalit të tyre. Ata vendosën ta quanin Albi, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për shqiptarët dhe Shqipërinë, të cilët, sikurse shumë bashkëkombasve të tyre iu ofrua jo vetëm strehim dinjitoz, por edhe arsimim, shërbime mjekësore dhe mbështetje.
“Faleminderit Shqipëri, nuk do të harrojmë!”.Kështu shkruhet në muralen e pikturuar nga artistët afganë në Tiranë ku paraqitet një burrë afgan që po punon, ndërsa karroca e tij e punës mban hartën e Shqipërisë.
“Kjo është një nga mënyrat me të cilat ne duam të ngremë zërin për afganët që janë marrë peng në shtëpitë e tyre në Afganistan”, thekson Omaid Sharifi, bashkëthemeluesi i “Artlords”, organizatë afgane me aktivistë e artistë vullnetarë, të cilët përmes pikturave murale përcjellin mesazhe shprese dhe paqeje.
Ndërsa një ekspozitë e veçantë fotografike, “Albania from my eyes”, u hap nga komuniteti afgan në Shëngjin, Lezhë, dëshmi se pavarësisht sakrificave dhe dhimbjes së një fillimi të vitit të ri larg shtëpive dhe të afërmve të tyre, forca dhe kurajo për të ecur përpara, dashuria për të bukurën dhe jetën mbizotëron.
Qeveria shqiptare mori vendim edhe për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.
Gjatë marrjes së çmimit prestigjoz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award” nga organizata Sesame Workshop për mikpritjen që Shqipëria iu bëri mijëra refugjatëve afganë, kryeministri Edi Rama kujtoi një shprehje të Nënë Terezës së Kalkutës, Shën Terezën e Shqipërisë, që: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. Ne i ndezëm qirinjtë tanë dhe do të vazhdojmë kështu”. “Për aq kohë sa kemi një shtëpi, ajo shtëpi i përket gjithkujt që gjendet në nevojë dhe ne u vijmë në ndihmë jo me fjalë, por me vepra”, tha Rama.
Historia duket se përsëritet. Shqipëria ishte jo vetëm vendi i vetëm në Europë ku pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se pas Luftës së Dytë Botërore, por është i vetmi vend në botë ku nuk ka asnjë rast të vetëm të dorëzimit të një hebreu tek nazistët. Një shekull më pas, Shqipëria , një ndër vendet e para të aleancës së NATO-së hap dyert për shtetasit afganë të larguar nga lufta në Afganistan. Numri total i afganëve të strehuar përkohësisht në Shqipëri arriti rreth 2400 persona.
