Thoma Jano rizgjidhet Zëvendësprokuror i Përgjithshëm

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Thoma Jano është zgjedhur për të dytën herë Zëvendësprokurori i Përgjithshëm. Jano ishte i vetmi kandidatë në garë.

Në njoftimin për mediat, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se “në mbështetje të Vendimit nr. 218, datë 23.12.2019 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me nenin 148/b, shkronja “dh” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 39 pika 6 të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, është zhvilluar procedura e zgjedhjes së Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit 2-vjeçar të z. Thoma Jano, i cili ka mbajtur këtë detyrë përgjatë periudhës 30.12.2019 deri në 30.12.2021″.

“Pas shpalljes së thirrjes për shprehjen e interesit nga Prokurori i Përgjithshëm, për pozicionin e zv. Prokurorit të Përgjithshëm, në mbledhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme të zhvilluar në datë 17 dhjetor 2021 është rizgjedhur me votim unanim kandidatura e Thoma Jano për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm. Jano riemërohet Zëvëndësprokuror i Përgjithshëm me vendimin nr. 132, date 30.12.2021 të Prokurorit të Përgjithshëm. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e prokurorëve të prokurorisë së Përgjithshme dhe duhet të ketë të paktën 10 vjet përvojë si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Z. Jano ishte kandidatura e vetme qe shprehu interesin”, thuhet në njoftimin për mediet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.