Rama në ditëlindjen e FRESSH: Politika s’duhet lënë që të bëhet monopoli i politikanëve

TIRANË, 15 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “politika mbetet e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme për bashkëjetesën mes njerëzve, paqen, sigurinë dhe progresin ekonomik e shoqëror, por politika nuk duhet lënë në asnjë mënyrë që të bëhet monopoli i politikanëve”.

Në 30-vjetorin e krijimit të FRESSH, Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot Kongresin e  Rinisë së Partisë Socialiste i cili po zhvillon punimet te Amfiteatri i Liqenit në Tiranë.

Duke iu drejtuar të rinjve, Rama tha se për shumë prej tyre politika tingëllon si fjalë e urryer.

“‘Për shumëkënd në kohët që jetojmë, politika tingëllon sot si fjalë e shkarravitur sa në asnjë kohë tjetër, si asnjë fjalë tjetër mes fjalëve më të këqija. Falë edhe rrjeteve sociale, një mundësie krejt të panjohur deri ca kohë më parë për njerëzimin, që duken si korridore të pafundme metroje ku ata lënë spontanisht shkarravina, fjala politikë ka hyrë sot botërisht në grupin e fjalëve të pista dhe politikanët në një kategori të mallkuar gjerësisht në të gjitha bisedat apo në shkarravitjet spontane të njerëzve në muret e rrjetit të metrosë sociale”, tha Rama.

Kryeministri tha se “politika shkelet me këmbë papushim, ndërkohë që politika është mundësia e vetme për orientim kolektiv, që ne njerëzit trashëgojmë nga historia e njerëzimit”.

Rama solli në vëmendje një nga analizat më të hershme të politikës të Platonit, ku politika konsiderohet art mbretëror.

Ndërsa iu drejtua atyre që refuzojnë të dëgjojnë për politikë, Rama u kujtoi se politika merret gjithësesi me ta dhe vendos për ta.

“Nga Platoni, politika vjen si një analogji e habitshme mes një bashkësie politike dhe shpirtit të njeriut. Si  te njëra dhe te tjetra ka elementë pozitivë, siç ka dhe elementë negativ. Të dyja kontrollohen nga pasioni dhe arsyeja dhe mbajnë në vetvete, idealet më të larta dhe prirjet më të ulëta”, shtoi Rama.

Rama tha se “politika u dha njerëzve mundësinë të jepnin e merrnin me njeri-tjetrin dhe  të trajtojnë çështjet e bashkekzistencës së tyre dhe për t’u marrë me zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”.

Duke cituar Arsitotelin, Rama tha se “politika është ajo që e dallon njeriun nga gjallesat e tjera dhe e bën ‘një kafshë politike'”.

“Kush thotë nuk merrem me politikë, nuk dua t’ja di për të, gënjen veten sepse nuk kupton se politika merret gjithsesi me të. Vendimet e politikës e prekin gjithsesi atë dhe e kushtëzojnë veprimtarinë e tij në çdo kontekst ku jeton njeriu. Politika të hyn pa marrë autorizimi në jetën tënde. Gabojnë kur mendojnë se të merresh me politikë do të thotë të jesh njëri prej atyre që t’i sheh në televizion, rrjete sociale, tribuna foltore. Gabojnë kur ja kthejmë krahët politikës për shkak të këtij këndvështrimi të ngushtë dhe e bën politikën shënjestër përbuzje sidomos te të rinjtë”, tha Rama.

“Kush e përfytyronte dot, atë që na panë sytë në 6 janarin e një viti më parë, kur u sulmua tempulli i politikës amerikane nga njerëz si të ardhur nga kohëra shumë të vjetra, apo ato që pamë në 8 janar, te oborri i një partie politike që u kthye në një reality show me politikanë realë, por të arratisur mbrapa, në kohë diku nga mesjeta. Gjëra të paimagjinueshme”, tha Rama.

Ndërsa u ndal te ndryshimet demokratike të ’90, Rama tha se “të ishte për politikanët e kohës ndryshimi politik i Shqipërisë nuk do kishte ndodhur kurrë nëse nuk do ishin ‘ngatërruar’ me politikë pedagogë e studentë”.

“Unë isha njeri nga ata. Jepja mësim në Akademinë e Arteve dhe nuk kisha asnjë ambicie politike. Mua më mjaftoi liria e fituar dhe vazhdova jetën time si krijues, si artist, ndërsa  me politikën merresha si qytetar i lirë. Pse u ngatërrova unë në atë kohë me politikë? Sepse ishte politika shkaku i kufizimeve të tmerrshme të jetës time si artist. Ato kufizime ishin tmerr për gjithë bashkësinë tonë në Akademinë e Arteve. Çfarë mund të bëja unë i vetëm kundër atyre kufizimeve? Unë nuk doja të merresha me politikë, por me art, por politika merrej me mua duke i vënëa artit tim kufij. Vetëm duke ndryshuar politikën bashkë me të tjerë, mund t’i hiqja qafe këto kufizime. Duke luftuar për një të mirë të përbashkët mund të fitoja lirinë krijuese. Këtu u bashkuan interesat dhe ne i thyem ato kufij më vonë”, tha Rama.

Ai theksoi se “sensi i politikës është liria”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.