Rama: Në 8 janar, oborri i PD u kthye në sheshxhirimin e një reality-show me politikanë të arratisur në kohë

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së tha sot në aktivitetin për 30-vjetorin e krijimit të FRESSH, se “sa më shumë të rinjtë të merren me politikë, aq më e mirë ka gjasa të bëhet politika”.

‘Sa më larg t’i rrini politikës, aq më shumë do hani dynjanë për shkak të politikës. Po të bëheni bashkë mund t’i ndryshoni ato gjëra të vogla të së përditshmes. Politika bëhet shpesh shëmbëlltyrë e abuzimit të pasionit politik. Duhet angazhimi politik, jo i politikanëve por i qytetarëve, sepse ai e frymëzon mendimin kritik, e nxit vendimin e përbashkët”, tha Rama.

Mospëlqimi për politikanët, sipas tij, është “ok”, por nuk mund të çojë në qorrsokakun e humbjes së besimit të vetë politikës dhe as në grackën se të gjithë politikanët janë njësoj”.

“Mendoni se sa e sa gjëra të mirëseardhura në rrugëtimin e gjatë të shoqërisë njerëzore nuk do të kishin ndodhur kurrë pa politikën. Pa politikën nuk do të ekzistonte paqja që i dha jetë BE-së, pas luftës më të egër botërore në historinë e njerëzimit. Nuk do të  ekzistonte as Shqipëria e pavarur dhe as Kosova e pavarur. Duart e politikës e shembën, por edhe e kishin ngritur Murin e Berlinit”, tha Rama.

Të mos harrojmë, tha ai, “se si u ka dhënë disave mjetet për të shtypur, të tjerëve politika  u ka dhënë mjetet për ta hequr qafe shtypjen, varet kush i përdor këto mjete”.

Rama solli në vëmendje protestën e studentëve të vitit 2018. “E vetmja protestë politike pa politikanë në krye, prej asaj të vitit ’90 që i hapi rrugë pluralizmit politik në Shqipëri”.

“Të gjithë binim dakord që ishin kërkesa që duheshin zgjidhur por ajo që ata realizuan me këtë protestë ishte vendosja e zgjidhjeve të këtyre problemeve të njohura aty, në atë moment, në tryezën e qeverisë. Problemet ishin të njohura edhe qeveria jonë i dinte, por mrekullia e demokracisë dhe të marrurit me politikë është t’i bashkohesh të tjerëve dhe të thuash ‘nuk ka gjë më të rëndësishme, unë dua të zgjidhet kjo’. Si mundet një student ta zgjidhi vetë çështjen e ngrohjes në godinë bibliotekës universitare e me radhë. Sado të drejtë të ketë, po nuk u morr me politikë, që do të thotë të bëhet bashkë me të tjerët dhe të krijohet një bashkësi politike të atij momenti për atë çështje, që të dëgjohet nga vendimarrësit”, tha Rama.

Kjo, vijoi ai, “do të thotë të merresh me politikë sipas meje”.

“Jo për t’u bërë domosdoshmërisht politikan, por për t’i kërkuar llogari, për t’i nxitur dhe mbështetur përkundër zgjidhjeve që ata duhet të japin duke u bërë bashkë me të tjerët”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama u ndal edhe te protesta e 8 janarit te PD duke u shprehur se atë ditë PD u kthyer në një ‘reality show’.

“Atë që pamë në 8 Janar as 1 kilometër nga këtu, në oborrin e një partie që u kthye në sheshxhirimin e një ‘reaility show’, me politikanë real por të arratisur mbrapa në kohë, diku andej nga mesjeta dhe me godinën e partisë të kthyer në kështjellë të cilët disa luftonin për ta marrë, disa luftonin për të mos e lëshuar”, u shpreh Rama.

“Dua ta ndaj bindjen time me ju, se pavarësisht politikës që është reale, që i fryn erërave kundër politikës, dhe përtej breshërisë së LIKE-ve dhe klikimeve nga një bombardim non-stop me lajme, me komente, prononcime e me denoncime që hidhen si malet e rrobave të gabit ku të zë koka dhe të bllokohen hundët nga rrëmuja, politika mbetet e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme për bashkëjetesën demokratike të njerëzve, progresin ekonomik e shoqëror, për paqen dhe sigurinë”, tha Rama.

Sipas tij, të ishte për politikanët e kohës, ndryshimi demokratik i Shqipërisë nuk do kishte ndodhur kurrë. “Sikur të mos ishin ngatërruar me politikë, se kështu thuhej në atë kohë “Ngatërrim me politikë”, disa pedagogë dhe studentë, nuk do kishte pasur lëvizje demokratike dhe as pluralizëm politik në Shqipëri”.

“Afër mendsh që sa më shumë njerëzit e zakonshëm të merren me politikë, posaçërisht më të rinjtë, aq më e mirë, në favor të tyre, ka gjasë të bëhet politika dhe anasjelltas, sa më larg t’i rrini ju politikës, aq më shumë do hani dynjanë për shkak të politikës, edhe në gjërat më të vogla të jetës së përditshme, në ato gjëra të vogla të jetës së përditshme që fillojnë kur ju hapni derën e shtëpisë dhe dilni jashtë, në ato gjëra të vogla të jetës së përditshme, të cilat të vetëm ju nuk i ndryshoni dot, por i vuani, por po të bëheni bashkë mund t’i ndryshoni, sepse janë gjëra të vogla”, deklaroi Rama.

“Pa politikën nuk do ekzistonte paqja që i dha jetë Bashkimit Europian pas luftës më të egër botërore në historinë e njerëzimit. Pa politikën nuk do ekzistonte Kushtetuta, që i dha jetë Shteteve të Bashkuara. Pa politikën nuk do të ekzistonin as Shqipëria e mosvarme e vitit 1912, as Kosova e pavarurur e vitit 2008. Pa politikën, nuk do ekzistonte as vetë demokracia dhe nuk do njiheshin fare liritë dhe të drejtat universale të njeriut, nuk do kishin si të kishin lindur dot në mendjen e njeriut idetë e barazisë gjinore, idetë e mbështetjes sociale, idetë e shërbimeve publike dhe një pafundësi të mirash dhe zgjidhjesh, që e kanë përcaktuar progresin marramendës të shoqërisë njerëzore, qysh se Zeusi u dha njerëzve, të hapërdarë dhe të kërcënuar nga zhdukja, ndjenjën e turpit dhe ndjenjën e drejtësisë”, tha Kryeministri Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.