Policia: Lëndë narkotike në kamionin në Mal të Zi, kaloi nga Hani i Hotit

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në Malin e Zi është kapur një kamion, brenda të cilit, autoritetet doganore dhe policore të Malit të Zi, kanë gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Nga veprimet e para hetimore të përbashkëta të kryera nga autoritetet doganore dhe policore të Malit të Zi dhe të Policisë së Shtetit, paraprakisht rezulton se kamioni ka kaluar nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, Shkodër.
Grupi hetimor i ngritur në Policinë e Shtetit po vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale në territorin e vendit tonë, duke koordinuar veprimet me palën malazeze.
Policia e Shtetit njoftoi se do të përcjellë informacion më të detajuar në përfundim të veprimeve të para hetimore. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.