Përkujtohet shkrimtari, publicisti e përkthyesi Ernest Koliqi

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Përkujtohet sot ndarja nga jeta e shkrimtarit Ernest Koliqi. Muzeu Historik Kombëtar solli në vëmendjen këtë figurë të rëndësishme të letrave shqipe.

Më 15 janar 1975 u nda nga jeta Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.
Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”. Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit. Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.
Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës. U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.