Ndërron jetë legjenda e Kombëtares dhe Vllaznisë, Ramazan Rragami

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ramazan Rragami, ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë dhe i Kombëtares shqiptare, ka ndërruar jetë sot në moshën 77- vjeçare nga një sëmundje e rëndë.

Ramazan Rragami u lind në Shkodër më 3 prill 1944 dhe që prej moshës 12-13-vjeçare dhe deri para 2-3 vitesh ka qenë gjithnjë protagonist tek futbolli për një periudhë 60-vjeçare, pa asnjë shkëputje.

Ai mbetet një nga futbollistët më me emër në historinë e Vllaznisë e të futbollit shqiptar, teksa ishte dhe trajneri i “Shpresës” së Shqipërisë që e kualifikoi atë në 8 më të mirat e Europës në vitin 1983.

Si futbollist Rragami ka luajtur me Vllazninë, Partizanin dhe Dinamon ku shënohen rreth 90 ndeshje ndërkombëtare.

Rragami ka qenë shumë i suksesshëm edhe si trajner me Vllazninë të cilën e drejtoi për disa vite duke fituar edhe trofe, ndërkohë që kulmin e tij e ka me ekipet
kombëtare dhe kryesisht me atë “Shpresa” në vitin 1983 ku arriti ta radhisë atë në mes më të mirave të Europës.

Ai është nderuar në vitin 1966 me Kupën e Republikës kur ishte me ekipin e Partizanit. Në vitin 1971 fitoi Kupën e Ballkanit po me ekipin e Partizanit, në sezonin 1971-72 fitoi titullin kampion dhe Kupën e Republikës me ekipin e Vllaznisë. Në sezonin 1973-74 shpallet kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë.

Në vitin 1967 ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti” ndërkohë që në vitin 1974 ka marrë titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Në vitin 1999 është nderuar me titullin “Nderi i sportit shqiptar” dhe po këtë vit ka marrë edhe titullin “Krenaria e qytetit të Shkodrës”.

Në vitin 2004 është nderuar nga FSHF me titullin “Nderi i futbollit shqiptar” ndërkohë që në vitin 2019, me rastin e 100-vjetorit të klubit Vllaznia, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Është fitues i anketës “11-shi i artë”, organizuar me rastin e 80-vjetorit të KF Vllaznia dhe fitues i anketës “11-shi më i mirë i shekullit”, organizuar nga FSHF më 1998.

Duka:
Kreu i FSHF-së, Armand Duka shprehu trishtimin për lajmin e ndarjes nga jeta të Ramazan Rragamit. “U trishtova pa masë kur mësova pak minuta më parë se Rramazan Rragami është ndarë nga jeta. Rragami do të mbahet mend dhe do të kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të mëdha të futbollit shkodran dhe atij kombëtar”, u shpreh ai.
“Nē këtë moment të vështirë për familjen e tij dhe gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rragami. Ne do ta kujtojmë dhe do ta nderojmë gjithmonë kontributin që ai ka dhënë për futbollin shqiptar”, përfundoi Duka.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.