KOMENT – Johnson në telashe, pavarësisht ndjesës për festat kryeministrore

LONDËR, 15 janar /ATSH-ANSA/ – Ndërsa fanfara mbretërore po përgatitej të luante në funeralin e princit Philip, 30 anëtarë të stafit kryeministror të Boris Johnson-it, përfshirë ish-zëdhënësin e tij, James Slack, kërcenin të shkujdesur dhe pinin alkool pavarësisht nga zia kombëtare për shkak të vdekjes së princit Philip, flamuri në gjysmë shtizë që ngrihej nga rezidenca e kryeministrit britanik dhe veçanërisht nga kufizimet antiCovid-19 në fuqi.

Ky është kapitulli i fundit i partygate, që tashmë është kthyer në një sagë skandalesh dhe që i kushtoi edhe një ndjesë tjetër Johnson-it, këtë herë drejtuar mbretëreshës Elizabeth II, e cila më 17 prill, një ditë pas argëtimit të zyrtarëve në Number 10, me gjakftohtësinë e saj të zakonshme qau e vetme për bashkëshortin e humbur, por duke respektuar rregullat  në fuqi të distancimit.

Është shumë e mundshme që lideri konservator t’i kërkojë sërish ndjesë, personalisht, sovranes gjatë takimit të tyre privat të radhës.

Johnson është në telashe për pozicionin e tij, gjithnjë e më i vështirë për t’u mbajtur, mes kërkesës për dorëheqje nga opozita dhe komplotet e brendshme nga partia e tij konservatore.

Një nga zëdhënësit e tij i komunikoi medias mea culpa-n zyrtare ndaj Buckingham Palace.

”Është krejtësisht për të ardhur keq që kjo ndodhi në një kohë kur ka zi kombëtare”, tha ai duke iu referuar dy festave të lamtumirës që u zhvilluan më 16 prill, ajo e zëdhënësit në largim të kryeministrit, tashmë zëvendësdrejtor i ”The Sun” dhe ajo e një fotografi të  Downing Street.

E gjithë kjo mund të rrisë më tej presion ndaj Boris Johnson-it, i cili të paktën nuk ishte i pranishëm në asnjë prej tyre dy festave, ndërsa një listë me deputetë konservatorë kërkojnë dorëheqjen e tij.

Ata arritën në pesë, pasi Andrew Bridgen gjithashtu bëri thirrje për një ndryshim të lidershipit.

Ata kanë dërguar një të ashtuquajtur letër mosbesimi për Johnson0in, por duhen 54 (nga gjithsej 360 deputetë) për të filluar sfidën në parlament.

Ndërkohë, anëtarët e kabinetit kanë filluar ta mbrojnë kryeministrin.

Ministrja e Jashtme, Liz Truss, e perceptuar si një kandidate e mundshme për trashëgiminë e BoJo-s (akronim për Boris Johnson – shën. i përkth.) deklaroi se e mbështesin atë 100 për qind.

Sfidanti tjetër, kancelari i Thesarit Rishi Sunak, nga ana tjetër, vazhdon të mbajë një profil mjaft të ulët.

Shumë brenda partisë presin hetime për festat, që dita-ditës pasurohen me elementë të rinj.

Megjithatë, edhe pse nën presion, Johnson po përgatit kundërsulmin në disa fronte.

Në fakt, flitet për një spastrim të këshilltarëve dhe zyrtarët e përfshirë në skandal duke filluar nga Martin Reynolds, kreu i sekretariatit personal të kryeministrit, autori i email-it që ftoi zyrtarët për festat e 20 majit 2020 në kopshtet e Downing Street.

Kryeministri më pas synon të fitojë pikë me heqjen e kufizime antiCovid-19, të tilla si leja e gjelbër i prezantuar në Angli një muaj më parë, vetëm për hyrjet në klubet e natës dhe ngjarjet masive.

Shtuar këtu edhe pikët që mund të fitojë nga qetësimi i situatës pandemike, me uljet e  vdekjeve dhe shtrimeve në spitale si edhe strategjia për të mos e trajtuar më koronavirusin si një pandemi, por si një endemi dhe për të jetuar pa shumë masa kufizuese dhe emergjente./ (nga Alessandro Carlini) a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.