FOKUS – MV: Vizita e Petkov mundësi e shkëlqyer për një dinamikë të re në procesin e negociatave

SHKUP, 15 janar /ATSH-MIA/ – Fakti që nga të dyja anët e kufirit kemi qeveri të reja, jep një energji të re dhe mundësi të re për zgjidhje pozitive mbi bazën e mësimeve të marra nga procesi i deritanishëm i negociatave me Bullgarinë, deklaroi ministri maqedon i Drejtësisë, Bojan Mariçiç.

Lidhur me mosmarrëveshjet me Bullgarinë, Mariçiç thotë se dy palët ende nuk kanë  rënë dakord për ndonjë gjë.

”Ende jemi në fazën e bisedimeve, shkëmbimit të argumenteve, shkëmbimit të pozicioneve dhe mendoj se vizita e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, të martën, do të jetë një mundësi e shkëlqyer që të vendoset një dinamikë e re në procesin e negociatave mes nesh dhe Bullgarisë”, thekson Mariçiç.

”Dinamika në të cilën do të fokusohemi në çështje më të gjera se historike, dinamikë në të cilën do të formohen grupe pune konkrete të cilat do të japin rezultate në fusha konkrete”, shtoi ai.

”Pa caktuar afate, duhet intensivisht të punohet në përmirësimin e atmosferës mes qytetarëve dhe të dyja shteteve, kthimin e besimit, rritjen e nivelit të miqësisë dhe në mënyrë thelbësore largimin e pengesave për fillimin e negociatave”, thekson ai./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.