Dëmet nga tërmeti, Bashkia Pukë: Kërkohet njësi e specializuar për shkallën e rrezikshmërisë te spitali

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Grupi i punës i bashkisë Pukë ka kryer verifikimin në të gjithë problematikat që u shfaqen natën e mbrëmshme pas tërmetit me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter .

Përgjegjësi i sektorit të Emergjencave në Bashkinë Pukë, Behar Ademi deklaroi sot se “në bllokun e pallateve sipër muzeut “Migjeni” ka plasaritje të theksuar tej mureve të jashtme të pallatit,  ku kërkohet njësi e specializuar për përcaktimin e rrezikshmërisë”.

“Në bllokun e 5 pallateve ka plasaritje të mureve të jashtme, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë për banorët,  kërkohet njësi e specializuar për përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë.  Ka rreth 25 oxhaqe të dëmtuara dhe 10 prej tyre të dala jashtë funksioni. 50 m2  çati me tjegull e dëmtuar,  në dy blloqe pallatesh”, tha Ademi.

Ai tha se spitali bashkiak “Elez Selimi” Pukë ka pësuar çedime dhe plasaritje dhe kërkohet njësi e specializuar për përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë.

“Kemi 5 banesa në qytetin Pukë, me dëmtime plasaritje muresh, 4 banesa në njësinë administrative Gjegjan me plasaritje muresh, 3 banesa në njësinë administrative Luf-Qerret me plasaritje muresh. Shërbimi Mzsh ka kryer që në orët e para të mëngjesit marrjen e masave për eleminimin e rrezikut përsa i përket heqjes së tullave të oxhaqeve të shembur”, deklaroi Ademi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.