Balla: Në PS ka vend për të gjithë, këtu nuk ka as dyer hekuri e as brava

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar me rastin e 30-vjetorit të krijimit të FRESSH.

Në fjalën e tij, Balla tha se ndoshta “ne nuk mundemi gjithmonë të ndërtojmë të ardhmen për rininë tonë, por ne mund të ndërtojmë rininë tonë për të ardhmen.”

Sipas Ballës, “misioni i FRESSH ishte aktivizimi politik i të rinjve, duke u kthyer shumë shpejt në një shkollë të mirëfilltë politike, edhe për shkak të mbështetjes që FRESSH mori nga organizatat partnere të partive socialiste dhe socialdemokrate europiane”.

“Në një kohë të shkurtër FRESSH u anëtarësua në IUSY dhe ECOSY, duke i paraprirë anëtarësimit të Partisë Socialiste në IS dhe PES. FRESSH ishte një rreze dielli në ato kohë dimri, ndërsa Partia Socialiste përballej me regjimin e non-gratës, Sali Berisha. Kontributi i socialistëve të rinj ka spikatur edhe në ato momente të vështira e delikate për vendin, siç ishte refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga Presidenti famëkeq Berisha me projekt-kushtetutën e vitit 1994, zgjedhjet e 26 Majit 1996 dhe dhunimi i opozitës. Për mua personalisht këto kanë qenë edhe dy betejat e para si FRESSH-ist”, tha Balla.

Balla tha se “FRESSH nuk është vetëm organizata më e madhe politike rinore në Shqipëri për nga numri i anëtarëve ndër vite, por ai luajti një rol të rëndësishëm në historinë politike të familjes sonë socialiste”.

“Nuk kanë qenë të pakta rastet e vendimmarrjeve politike brenda familjes sonë socialiste, kur pozicionimi i përfaqësuesve të FRESSH-it ka qenë deçiziv. Nuk ishte po ashtu rastësi që dy kryetarë të FRESSH u zgjodhën secili dy herë kryeministra nga Partia Socialiste. FRESSH-i u bë pjesë pjesë e rëndësishme e strukturës së Partisë Socialiste në çdo qytet e fshat të Shqipërisë sonë. FRESSH-i ka qenë gjithmonë shpirti dhe fryma e çdo fushate elektorale të Partisë Socialiste. Pa harruar se FRESSH-i ka qene pjese e çdo proteste. Vajza dhe djem freshistë kanë qenë çdo ditë të angazhuar në shumë iniciativa rinore e plot nisma sociale për t’ju gjendur pranë njerëzve në nevojë apo si vullnetarë të palodhur të Shqipërisë solidare”, tha ai.

Balla tha se “gjatë ditëve të mbylljes totale për shkak të pandemisë, vullnetarët e FRESSH ndihmuan kudo nëpër Shqipëri, familjet e pensionistëve apo familjet në nevojë me barnat dhe ushqimet bazë”.

“Partia Socialiste mbetet gjithmonë partia më e hapur dhe më mbështetëse ndaj të rinjve, të cilët shohin sot tek ne të vetmen fuqi transformimi. Prandaj në këtë momentum të ri na duhet një hapje e re dhe më domethënëse e Partisë Socialiste ndaj të rinjve. E ndryshme dhe më e madhe nga herët e tjera. Sic thoshte Franklin Delano Roosvelt: ndoshta “ne nuk mundemi gjithmonë të ndërtojmë të ardhmen për rininë tonë, por ne mund të ndërtojmë rininë tonë për të ardhmen”, tha Balla.

Balla tha se “thelbi i ftesës sonë është i njëjtë: Partia Socialiste është e hapur dhe gati të bashkëpunojë me çdo të ri dhe të re të këtij vendi, kudo ku ai jeton, në Shqipëri apo në diasporë”.

“Partia Socialiste është gati t’u japë zë ideve dhe nismave që vijnë nga çdo rrjet rinor vullnetarizmi, çdo rrjet rinor me djem e vajza të angazhuar në shërbim të komunitetit ku ata jetojnë, çdo rrjet të rinjsh shqiptarë që realisht e duan atdhenë, si shqiponja folenë. Për Shqipërinë 2030, Partia Socialiste dhe Edi Rama janë gati të ndërveprojnë me të rinjtë dhe t’u japim mundësinë që të kenë një mbështetje që të kthehen në aktivistë dhe njerëz të interesuar. Në Partinë Socialiste ka vend për të gjithë. Këtu nuk ka as dyer hekuri, as brava, as dhunues serialë institucionesh”, tha Balla. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.