​Krerët e shtetit homazhe në kompleksin memorial në Reçakut

PRISHTINË, 15 janar/ATSH/- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë bërë sot homazhe në kompleksin memorial në Reçak.

Në 23-vjetorin e masakrës në Reçakut, ata kanë bërë nderime të shoqëruar nga pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.

Homazhe kanë zhvilluar edhe pjesëtarë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Osmani është shprehu se “sot në vendin e ngjarjes, te Kodra e Bebushit, aty ku ndodhi masakra në Reçak, dëgjuam rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të masakrës. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”.

Gjatë ditës tre udhëheqësit e shtetit do të marrin pjesë edhe në një akademi përkujtimore në Shtime.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku së bashku me përfaqësues nga partia kanë bërë homazhe në Kompleksin memorial në Reçak.

“15 janari i vitit 1999 është një ditë e cila është e shënuar thellë në kujtesën jo vetëm timen po në kujtesën kolektive tonë si komb. Është ditë e dhimbjes së madhe por në të njëjtën kohë është edhe ditë e kthesës së madhe, është ditë e cila preku ndërgjegjen e botës së qytetëruar dhe e rreshtojë botën demokratike karshi nesh. Është për të ardhur keq që 23 vite pas Masakrës së Reçakut ende nuk kemi kërkim falje, ende nuk kemi pendesë nga ana e shtetit serb”, ka thënë ajo.

Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli ka përkujtuar viktimat e masakrës së kryer nga forcat serbe 23 vjet më parë në Reçak.

Pacolli shprehet se 15 janari i vitit 1999 ishte ditë zie për fshatarët e Reçakut ku forcat gjenocidale serbe të Millosheviçit vranë mbi 45 njerëz të pafajshëm dhe terrorizuan të gjithë banorët tjerë të fshatit.

“Kjo masakër, e cila konsiderohet si një nga krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, ishte arsyeja e ndërhyrjes së NATO-s që përshpejtoi çlirimin e Kosovës. Lavdi viktimave dhe heroizmit të banorëve të Reçakut”, u shpreh Pacolli.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.