PD: Meta dhe Berisha, në aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot ndaj qëndrimeve të Presidentit Ilir Meta duke e akuzuar atë për aleancë me ish-kryeministrin Sali Berisha për të shkatërruar Partinë Demokratike.

“Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Partia Demokratike i kërkoi Metës të qëndronte larg selisë së kësaj force politike.

“PD ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha”, deklaroi PD.

Sipas PD-së, “ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë”.

Më herët, Presidenti Meta në një konferencë për shtyp kishte deklaruar se “jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimit e konfliktit të panevojshëm brenda partisë më të madhe opozitare, që mund dhe duhet të ketë vetëm një zgjidhje, votën e lirë dhe respektimin e vullnetit të shumicës, si edhe garantimin e fraksioneve”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.