Mjekët për pediatrinë e re në QSUT: Më shumë kapacitete dhe aparatura bashkëkohore

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Pediatria e re, një investim i qeverisë shqiptare i standardeve evropiane, i shërben mbi 130 mijë fëmijëve në vit.

Mjekët e tre shërbimeve që tashmë janë në funksion të plotë në Pediatrinë e re të QSUT-së, tregojnë se si kanë ndryshuar kushtet në shërbim të fëmijëve që kanë nevojë për kujdes të specializuar në Spitalin e ri Pediatrik të sapo ndërtuar.

Dr. Irma Hajdari, mjeke në Urgjencën Pediatrike, tha se “urgjenca e re e sapopëruruar ka filluar punën intensivisht. Recepsioni është konceptuar për të bërë triazhimin e fëmijëve të paraqitur direkt në urgjencë ose me rekomandim nga qendrat shëndetësore ku kanë bërë vizitat në shërbimin parësor”.

“Vizitat janë të konceptuara në dy dhoma, në të parën është mjeku primar, në të dytën mjeku që mbështet rastet që observohen me tej. Observimi është konceptuar të jetë më i bollshëm dhe me më shumë lehtësira si në drejtim të stafit infermieror ashtu edhe të mjekëve. Rastet me COVID-19 observohen në urgjencën e Pediatrisë deri sa të krijohet mundësia e shtrimit në pavijonin përkatës ose fëmijëve me sëmundje infektive ngjitëse.
Fëmijët janë të izoluar në këto dhoma, ku jepet shërbimi njëlloj si në terapitë intensive me oksigjen dhe të gjithë parametrat e mundshëm në këtë dy bokse”, nënvizon Hajdari.

Mjekja Hajdari shprehet se “shërbimi i ri i urgjencës Pediatrike është një risi, pasi ofron më shumë lehtësira në drejtim të ndihmës së parë, më shumë mundësi në drejtim të kapaciteteve dhe me shumë mundësi në drejtim të stafit mjekësor”.

Dr. Ermela Çelaj, mjeke reanimatore në Shërbimin e Terapisë Intensive, tha se “në reanimacion i japim shërbim fëmijëve të sëmurë rëndë. Ky pavijon është i pajisur me aparatura bashkëkohore, që janë në shërbim të fëmijëve”.

“Në këtë pavijon ndodhet një dhomë për fëmijët e porsalindur, është e pajisur me inkubator transporti për çdo ekzaminim të nevojshëm për të porsalindurit”, shtoi ajo.

Ndërsa dr. Dritan Alushani, shef i Shërbimi të Kirurgjisë Infantile, tha se “Shërbimi i ri Kirurgjisë Infantile ka katër salla moderne operacioni, të cilat janë që tani funksionale. Këtu kryhen operacionet e kirurgjisë abdominale, urologjike dhe torakale pediatrike. Kryhen operacione të nivelit të lartë, kështu që edhe sallat janë të mirëpajisura”.

“Përveç këtyre sallave janë edhe shtretërit post operator. Çdo gjë është në maksimumin e eficiencës, sallat janë struktura moderne, shumë të mira, gjithashtu pajisjet janë të fundit, qoftë ato të anestezisë edhe ato të kirurgjisë dhe laparoskopisë. Kemi një sallë perfekte pas kaq kohësh, që ne prisnim një investim të tillë të rëndësishëm”, tha Alushani.

Spitali i ri pediatrik ofron kushte me standarde evropiane, duke përfshirë tre shërbime: urgjencën, reanimacionin dhe kirurgjinë infantile.

Shërbimi i urgjencës është i pajisur me të gjitha pajisjet dhe një zonë observimi me kapacitet deri në 30 shtretër, me mundësi zgjerimi të kapaciteteve pritëse në rast fluksi. Shërbimi i ri i reanimacionit ka tashmë kapacitete të dyfishuara me pajisje të rinovuara, me 28 postacione të gatshme të lidhura me sistemet e gazrave mjekësore dhe me zona të terapisë intensive të dedikuara për neonatët dhe fëmijët më të rritur.

Reanimacioni është konceptuar edhe me zona të izoluara për fëmijët që trajtohen me sëmundje infektive dhe kjo është një nga risitë e shërbimit të ri të reanimacionit. Gjithashtu edhe shërbimi i ri i kirurgjisë infantile është me kapacitete të shtuara. Janë katër salla operacioni me teknologji të lartë, ku njëra do të jetë e dedikuar për ndërhyrje invazive.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.