KLP cakton seancën dëgjimore për procedimin disiplinor ndaj 2 magjistratëve

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e sotme plenare në prani të të gjithë anëtarëve, vendosi me votë unanime caktimin e përkohshëm të Irena Çunotit, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, për periudhën nga 20.01.2022 – 19.04.2022.

Këshilli vijoi me vendimin për miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, Vitjuna Mata, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila aktualisht është e komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në kërkesën për dorëheqje nga detyra të Maksim Sotës, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, paraqitur pranë KLP 13 dhjetorin e kaluar, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak dorëheqjeje. Dorëheqja jep efekt më datë 31 janar 2022.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi me 10 vota pro dhe 1 kundër (Sokol Stojani), transferimin përkohësisht me pëlqimin e tij, të Kledian Llahos, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për një periudhë njëvjeçare.

Gjatë diskutimeve, anëtarët prokurorë Sokol Stojani dhe Zeqir Hoda kanë ngritur shqetësimin për numrin e vakancave në sistem të shkaktuara nga procesi i  Vetingut, i cili ka arritur në 120 prokurorë. Ky fakt e vështirëson ndjeshëm funksionimin e zyrave të prokurorisë. Për këtë arsye, ata i kërkuan Këshillit, të jetë i kujdesshëm me përdorimin e instrumenteve në dispozicion, si emërimi, caktimi i përkohshëm dhe transferimi i përkohshëm me pëlqim i prokurorëve brenda sistemit të prokurorisë. Kjo, për të mos ndikuar negativisht në punën e prokurorëve dhe në përballimin e ngarkesës, shkaktuar nga numri i madh i dosjeve.

Duke ndarë të njëjtin shqetësim, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi se, përballë kësaj situate të vështirë, Këshilli ka pasur për detyrë të garantojë funksionalitetin e zyrave të prokurorisë në vend, duke përdorur me efikasitet dhe në mënyrë proporcionale, të vetmet instrumente ligjore që ka në dispozicion, me qëllim menaxhimin e vakuumit të madh të krijuar në sistem nga pasojat e Vetingut.

Me propozim të Komisionit Disiplinor, Këshilli caktoi datën 7 shkurt 2022 për zhvillimin e seancës dëgjimore për procedimin disiplinor në ngarkim të 2 magjistratëve, me detyrë prokurorë.

Për të dy magjistratët në fjalë, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka propozuar masën disiplinore “Vërejtje publike”, parashikuar nga neni 107, i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i  ndryshuar.

Këshilli vendosi të shtyjë miratimin e Rregullores për “Standardet e etikës dhe rregullave të sjelljes së prokurorit”, për ta konsultuar me trupën e prokurorëve në sistem.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.