Agjencia Telegrafike Shqiptare

Deklarata e Berishës, PD: Mashtron hapur

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Partia Demokratike publikoi sot një video me pamje nga dhuna e ushtruar nga protestuesit në datën 8 janar në selinë e PD-së.

PD citon deklaratat e ish-kryeministri Sali Berisha, i cili dje pas dëshmisë në Prokurori u shpreh se “kjo është protesta më paqësore në historinë e vendit”, dhe të deputetit Flamur Noka, i cili dje pas dëshmisë në Prokurori u shpreh se, “protesta, siç e patë ju, ishte më paqësorja që është zhvilluar ndonjëherë. Asnjë xham makine nuk është thyer”.

“Ja si mashtrojnë hapur. Demokratët u shkëputën përgjithmonë nga ata që përdorën dhunë”, thekson PD.

“Vetëm një njeri në hall të madh mund të mashtrojë hapur shqiptarët për dhunën dhe terrorin e ushtruar kundër PD”, shton PD.

Sipas PD, “Sali Berisha ishte ideatori dhe urdhëruesi i dhunës dhe terrorit. Sali Berisha kërkonte që mbi gjakun e demokratëve të negocionte “non grata”-n e tij. Njësoj si ai, edhe ndihmësit e tij të sulmit përpiqen të mohojnë dhunën që e pa gjithë bota. Demokratët e kuptuan dhe u shkëputën përgjithmonë nga ata që e kanë përdorur dhunën si mjet politik!  Ne kemi zgjedhur të ardhmen”.

“Momenti që një seli partie qëndronte e pushtuar me banditë, tregonte gjithçka se ç’ndodh në narkoshtet”, theksoi Berisha dje në deklaratën e tij pas dëshmisë në Prokurori.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version