COVID-19 – Shkencëtarët polakë identifikojnë gjenin përgjegjës për rastet e rënda

VARSHAVË, 14 janar /ATSH-PAP/ – Studiuesit në universitetit mjekësor ”Bialystok”, në Poloninë Verilindore, kanë identifikuar një gjen përgjegjës për rastet e rënda të infeksionit Covid-19, deklaroi ministri polak i Shëndetësisë, Adam Niedzielski.

“Sot kemi një moment të veçantë, një ditë të veçantë, një ditë e rëndësishme për të gjithë shkencën polake, por mbi të gjitha një ditë shumë e rëndësishme për sistemin shëndetësor, për shëndetin e polakëve’’, theksoi Adam Niedzielski në një konferencë për shtyp.

“Kemi mundur të identifikojmë… një faktor rreziku shumë i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për infeksionin Covid-19, është një element rreziku i lidhur me strukturën gjenetike… ky faktor është një gjen konkret”, shtoi ai.

Studiuesit kanë zbuluar një variant gjenetik që i predispozon pacientët të dyfishojnë rrezikun për t’u prekur rëndë nga Covid-19 dhe vdekja.

Shkencëtarët thanë se gjeni ishte në vendin e katërt në përcaktimin nëse pacientët vuanin nga simptoma të rënda nga Covid-19.

Faktorët e tjerë kryesorë janë mosha e madhe, obeziteti dhe gjinia mashkullore.

Studimi shqyrtoi 1 500 njerëz të infektuar me këtë sëmundje në mbarë vendin dhe identifikoi një variant gjenetik në ”pronësi” të 14% të polakëve, që është rreth 5% më shumë se në vendet e tjera evropiane.

“Ne tregojmë se gjenet janë një faktor shumë i rëndësishëm, i cili mund të vendosë se si e shohim çdo sëmundje, përfshirë Covid-19, por unë do të doja ta vendosja atë në hierarkinë e duhur”, tha profesori Marcin Moniuszko, i cili drejtoi projektin kërkimor./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.