Certifikatë vaksinimi ose karantinë 10 ditë për hyrjen në Gjermani

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Ambasada e Gjermanisë në Tiranë njoftoi sot se nga dita e dielë, 16 janar 2022, Shqipëria konsiderohet sërish si një vend me rrezik të lartë nga Covid-19.

Ambasada bën të ditur se, për hyrjen në Gjermani kjo do të thotë se qytetarët duhet të regjistrohen në faqen e internetit www.einreiseanmeldung.de para se të udhëtojnë për në Gjermani.

“Gjatë regjistrimit Ju duhet të ngarkoni një dëshmi shërimi nga një infeksion me Covid19 ose që jeni plotësisht të vaksinuar”, thekson Ambasada.

“Nëse nuk mund të paraqisni asnjërën nga këto dy dëshmi, do t’ju duhet një test i Covid-19 për të hyrë në Gjermani. Megjithatë pas mbërritjes do ju duhet të karantinoheni për dhjetë ditë. Pas pesë ditësh, ju mund të testoheni përsëri dhe, nëse rezultati i testit është negativ, mund t’i jepni fund karantinës”, shton Ambasada.

Ambasada bën të ditur se për informacione të mëtejshme qytetarët mudn t’i drejtohen faqes së internetit: https://tirana.diplo.de/al-de/-/2502392

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.