Basha dëshmon në Prokurori: Të vendosen para përgjegjësisë autorët e dhunës së 8 janarit

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dha sot dëshminë e tij para prokurorëve në Prokurorinë e Tiranës, për ngjarjet e ndodhura në protestën e 8 janarit në selinë e PD-së.

Në një prononcim për mediet pas daljes nga Prokuroria, Basha theksoi kërkesën që u ka drejtuar organeve ligjzbatuese, “që të zbardhin menjëherë përgjegjësit dhe t’i vënë para përgjegjësisë ligjore”.

“Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha dhe një grup mercenarësh dhe kriminelësh që përbëjnë një organizatë kriminale. Demokratët u thirrën për t’u përdorur si fasadë. Një pjesë shumë e vogël iu përgjigj thirrjes, por u distancua nga dhuna, por i përshëndes”, theksoi Basha.

Duke iu drejtuar demokratëve, Basha tha se, “kjo është një ditë në të cilën nuk duhet të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt dhe ky është një dëmet e mëdha që po i shkaktohet familjes sonë politike, për shkak të egoizmit të pakufi të Sali Berishës dhe mbivendosjes së hallit të tij personal, interesave të demokratëve dhe shqiptarëve”.

Basha u shpreh se “megjithatë, ndonëse PD, ne, ishim subjektet e një sulmi barbar dhe të dhunshëm, nga njëra anë kërkoj zbardhjen e plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të autorëve, organizatorëve frymëzuesve të dhunës. Dhe nga ana tjetër u them demokratëve se nuk do të humbasim asnjë sekondë në këtë kurth ku na dëshiron kundërshtari ynë dhe kundërshtari i interesit të gjithë shqiptarëve, por duhet një orë e më parë të jemi në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë, nga ky makth që është produkt i keqqeverisjes dhe aleatëve të keqqeverisjes ku tashmë edhe Sali Berisha me aktet e 8 janarit, është dëshmuar si një aleat i vyer, sepse kohë e çmuar e PD-së, e drejtuesve të PD-së, deputetëve të PD-së, kohë e çmuar mediatike që duhej të vihej në dispozicion të së mirë publike duke denoncuar, duke kërkuar vënien para përgjegjësisë”.

“Sot kjo Prokurori duhet të gëlonte nga të arrestuarit për aferën e inceneratorëve nga aferat e tjera të kësaj qeverie. Sot duhet të ishim në një betejë të plotë politike për largimin e këtij regjimi, për fat të keq, siç e kam thënë më parë, me aktet dhe me veprimet e tij përçarëse dhe me gjuhën e retorikës së tij të dhunës Sali Berisha është përpjekur ta pengojë këtë”, tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.