Balla: Në 31 vite, Berisha përdor të njëjtën gjuhë terrori dhe denigruese

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi pas deklaratave të mbrëmshme në një studio televizive të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas Ballës, edhe pse është 31 vite në politikë, Berisha përdor të njëjtën gjuhë terrori, fyese dhe denigruese.

“31 vite në politikë, e njëjta gjuhë terrori, fyese, denigruese. Shikoni reagimin e Sali Berishës ndaj gazetarit Imer Mushkolaj, pasi ai përmendi 21 Janarin dhe vrasjen e 4 protestuesve në bulevard në kohën kur ai ishte Kryeministër i Shqipërisë”, tha Balla, duke iu referuar intervistës televizive.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarit në emision, Berisha u shpreh dje se “nuk ka njeri në botë që e ka quajtur paqësore protestën e 21 Janarit, përveç teje. Ai është provokator nga Novi Sadi që gënjen, një mashtrues ordiner”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.