Aplikimi për thirrjen e katërt të IPARD II, Rama ndan videon informuese

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Në 10 janar u hap thirrja e katërt e programit IPARD II, që do të zgjasë deri më 25 shkurt 2022.

Duke iu drejtuar atyre që duan të investojnë në fushën e turizmit rural, Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi mënyrën e aplikimit për këtë thirrje.

“Ja si aplikohet për Thirrjen e Katërt të Programit IPARD përmes kësaj video informuese, për të gjithë ata që duan të investojnë në fushën e turizmit rural. Punë të mbarë”, tha Rama.

Qytetari i interesuar mund të shkarkojë formularin e aplikimit dhe ta plotësojë atë në formë elektronike. Për projekte nën 50 mijë euro, aplikanti duhet të shkarkojë dhe plotësojë Projektin Teknik, ndërsa për projekte mbi 50 mijë euro Planin e Biznesit.

Dosja e aplikimit duhet të përmbajë formularin e aplikimit, Projektin Teknik ose Planin e Biznesit, tri oferta për çdo investim, si dhe dokumentacionin mbështetës.

Aplikimet dorëzohen deri në 25 shkurt, përmes dërgesës postare rekomande, ose dorazi pranë zyrave të AZHBR-së.

Thirrja për të aplikuar është hapur për masën 7 e njohur si “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus turizmin rural dhe të natyrës, punimet e artizanatit dhe industrinë e manifakturës si dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 4.1 milionë euro, nga të cilat 75 % ose 3.075 milionë euro kontribut i BE dhe 25 % ose 1.025 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.

Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme që mbështet investimin me grante nga ky program është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 400 mijë euro. /m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.