​Kurti: Do thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit

PRISHTINË, 14 janar/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të shtunën.

Pas takimit mbi 1 orësh me ambasadorët e shteteve të QUINT-it rreth kërkesave të tyre për lejimin mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, Kurti, tha se përgjigjja është komunikata e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Para mediave, kreu qeveritar nuk bëri të ditur arsyen e kërkesës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

“Unë po shkoj në kryeministri që të përgatisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës për nesër në orën 14:00”, tha ai.

Paraditen e sotme ambasadorët e QUINT-it kërkuan nga institucionet në Kosovë të lejojnë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më 16 janar. Mirëpo, përgjatë kësaj kohe, ekzekutivi ka qenë i kategorik kundër mbajtjes së këtij referendumi në territorin e Kosovës. Por ka ofruar si zgjidhje votimin përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.