SHBA – Rritja e çmimeve të konsumit përshpejtohet në dhjetor

UASHINGTON, 12 janar /ATSH-DPA/ Një raport i shumëpritur i publikuar nga Departamenti i Punës të mërkurën tregoi se, norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit në SHBA arriti përsëri në dhjetor nivelin më të lartë në pothuajse 40 vjet.

Raporti tregoi se norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit u përshpejtua në 7.0 për qind në dhjetor nga 6.8 për qind në nëntor, duke treguar rritjen më të madhe vjetore që nga qershori i vitit 1982.

Çmimet bazë të konsumit, të cilat përjashtojnë çmimet e ushqimit dhe energjisë, u rritën me 5.5 për qind nga viti në vit në dhjetor, krahasuar me rritjen prej 4.9 për qind në nëntor.

Rritja vjetore reflektoi rritjen më të madhe që nga shkurti i vitit 1991.

Përshpejtimi i vazhdueshëm i normës vjetore të rritjes së çmimeve të konsumit erdhi pasi çmimet u rritën pak më shumë se sa pritej në baza mujore.

Departamenti i Punës tha se, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0.5 për qind në dhjetor pas një rritjeje prej 0.8 për qind në nëntor.

Ekonomistët prisnin që çmimet e konsumit të rriteshin me 0.4 për qind.

Çmimet bazë të konsumit u rritën me 0.6 për qind në dhjetor, pas rritjes me 0.5 për qind në nëntor. Çmimet bazë pritej të rriteshin me 0.5 për qind.

Rritja mujore e çmimeve të konsumit reflektoi kryesisht çmime më të larta për strehim dhe makina e kamionë të përdorur, së bashku me një rritje të çmimeve të ushqimeve.

Nga ana tjetër, sipas raportit çmimet e energjisë ranë me 0.4 për qind në dhjetor, pas uljes së çmimeve të benzinës dhe gazit natyror. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.