Kontrolle të thelluara dhe hetim bizneseve për informalitetin e pagave

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se pas datës 20 janar që përkon me përfundimin e afatit për deklarimin e pagave në bizneset që do të ketë dyshime për nëndeklarim pagash do të nisë një kontroll i thelluar.

Sipas ministres Ibrahimaj, prej dy vitesh po punohet me bizneset për deklarimin real të pagave.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që në vitin 2019 ka nisur një analizë sa i përket informalitetit në paga. Kjo e bazuar në kontaktet me tatimpaguesit me qëllim që kjo dukuri të reduktohej. Në vitin 2022 administrata tatimore arriti të rrisë nivelin e deklarimit të pagave për 30 % të biznesit që kishin dukuri nëndeklarimin e pagave”, tha ajo gjatë konferencës për mediet mbi ecurinë e ekonomisë.

Sipas ministres, pas publikimit të të dhënave për pagat, DPT dhe një sërë institucionesh të tjera që ndërveprojnë në informalitetin në paga kanë ndërmarrë një plan masash ku konsiston me dërgimin e më shumë se 10 mijë letrave te subjektet që mendohet se kanë risk në deklarimin e pagave.

“Data 20 janar është afati i fundit i deklarimit të listëpagesave. Presim që bizneset të bëjnë një reagim për ndryshimin e pagave të nëndeklaruara. Do të presim datën 20 për të parë reagimin, në mënyrë që të vijojë plani i masave që do të finalizohet në kontrolle të thelluara apo deri në hetime”, deklaroi Ibrahimaj.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.