Gjokoviç pranon gabimin kundrejt autoriteteve australiane

SIDNEJ, 12 janar /ATSH-AFP/ – Kampioni i tenisit, Novak Gjokoviç pranoi se bëri gabime në sjelljen e tij pasi u testua pozitiv për Covid-19 në dhjetor, pasi plotësoi formularin e tij të hyrjes në Australi, ndërsa pjesëmarrja e tij në Australian Open është ende në pritje.

Në një mesazh të postuar në Instagram, tenisti numër 1 i botës, i pavaksinuar, tha se ekipi i tij u ka dhënë informacion shtesë autoriteteve australiane, të cilët po shqyrtojnë rianulimin e vizës dhe deportimin e tij.

“Ne jetojmë në kohë të vështira me një pandemi globale dhe gabime ndonjëherë ndodhin”, theksoi tenisti serb, i cili aktualisht po stërvitet për Grand Slam.

34-vjeçari mbërriti në Melburn të Australisë më 5 janar, duke kërkuar përjashtimin nga vaksinimi kundër Covid-19 për shkak të një testi pozitiv të datës 16 dhjetor.

Ai shpjegon se ka bërë një test antigjeni, i cili ka rezultuar negativ, pastaj një test PCR të njëjtën ditë, sepse një ditë më parë kishte ndjekur një ndeshje basketbolli në Beograd me disa persona që rezultuan pozitivë./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.