Rindërtimi në Durrës, shembet me shpërthim të kontrolluar pallati 8-katësh

TIRANË, 10 janar /ATSH/ U shemb me shpërthim të kontrolluar pallati 8-katësh në njësinë administrative nr. 4 në Durrës, për t’i hapur rrugë vijimit të programit të Rindërtimit.

Në kuadër të procesit të Rindërtimit, në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak dhe ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Durrës dhe forcat xheniere të ushtrisë shembën me shpërthim të kontrolluar pallatin 8-katësh nr. 122 në njësinë administrative nr. 4, rruga “Aleksandër Goga” Durrës.

Emiriana Sako, kryetare në detyrë, në bashkinë Durrës, publikoi pamje nga momenti i shembjes së pallatit, teksa u shpreh se, “banorët e këtij pallati që do të rindërtohet në të njëjtin vend, do të përfitojnë banesa të reja shumë më të mira se më parë me kushte dhe standarde bashkëkohore”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.