Porti i Durrësit, 245 anije tregtare u përpunuan në 2021-shin

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Në Terminalin Perëndimor, një nga tre terminalet e mallrave në portin e Durrësit, gjatë vitit 2021 janë përpunuar 245 anije tregtare.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se terminali perëndimor në Portin e Durrësit ose Terminali i Mallrave Gjenerale, ka në funksion të përpunimit 4 kalata portuale.

“Në këtë terminal përpunohen kryesisht mallra të përgjithshme të paletizuara, gjysmë të paletizuara, slinga, thasë, rotativë, plehra kimike, drithëra, etj.”, thekson APD.

Në kuadër të investimeve të njëpasnjëshme me qëllim mbarëvajtjen e punës, Autoriteti Portual Durrës ka kryer rikonfigurimin e dy terminaleve (Terminali i Mallrave Gjenerale dhe Terminalit të Kontejnerëve), për t’i dhënë më shumë lirshmëri operatorëve privatë dhe publik në realizimin e operacioneve portuale.

Ky investim synon rritjen e ndjeshme të performancës së përpunimit në të dy terminalet e administruara nga Autoriteti Portual Durrës.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.