Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mbërrijnë edhe 375,000 doza të vaksinës Pfizer

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Në Institutin e Shëndetit Publik kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme 375,000 doza të vaksinës Pfizer.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Përgjatë gjithë këtyre 21 muajve të pazakontë në përballjen me pandeminë, mbështetja e miqve tanë të Bashkimit Europian ka qenë e pakursyer. Kanë mbërritur në orët e mbrëmjes në ISHA 375,000 doza të vaksinës Pfizer, një tjetër dëshmi e solidaritetit që na bashkon e na bën më të fortë”, theksoi Manastirliu.
Edhe delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë njoftoi se viti 2021 po mbyllet me një donacion të madh për popullin shqiptar.
“375 mijë vaksina Pfizer të financuara nga Bashkimi Evropian dhe të mundësuara nga Portugalia mbërritën mbrëmë në Tiranë. Që prej fillimit të pandemisë, Bashkimi Evropian i ka dhuruar Shqipërisë më shumë se 510 mijë vaksina”, njoftoi delegacioni i BE-së.

Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.

Gjithashtu vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, po vijon për të gjithë personat +18 vjeç.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version