TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sërish theksoi sot se përgjegjësia para drejtësisë për këdo nga bashkëpunëtorët e tij, ministra apo ish-ministra është individuale, i pyetur në konferencën e fundvitit në lidhje me aferën e inceneratorëve, në hetim nga SPAK.
“Për mua, ministra dhe ish-ministra e çfarëdo qofshin, janë bashkëpunëtorë për të cilët hidhem në zjarr deri ditën kur zjarri është i përbashkët për të bërë punët e këtij vendi sa më mirë. Në momentin kur dikush teksa unë hidhem në zjarr çdo ditë për t’i bërë punët më mirë, kërkon të nxjerrë për vete gështenja nga zjarri nuk është më çështja ime, apo jonë, është çështje individuale me drejtësinë“, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se veprimet e fundit të organeve të drejtësisë janë lajme për drejtësinë që ka filluar të funksionojë.
Sa i përket veprave, Rama tha se asgjë që ka të bëjë me aktet individuale nuk cenon rëndësinë e atyre veprave që i konsideroi shpëtimtare për ata njerëz.
“Janë vepra që kanë përfitim të madh dhe të destinuara t’i kthehen shtetit dhe të jenë pronë e shtetit shqiptar. Sot impianti i Elbasanit është pronë e shtetit shqiptar, komunitetit dhe një bashkie, e cila jetonte nën renë e tymit të plehrave të bëra mal që liheshin në mes të qytetit. Ka një shprehje që thotë: të mos hedhim fëmijën bashkë me ujin e ndotur”, tha kryeministri.
Sa i përket pagesave të cilat vijojnë të kryhen nga thesari për punën që po kryhet në dy impiantet e tjera atë të Fierit dhe Tiranës, Rama tha se janë marrëdhënie kontraktuale që imponohen nga ligji.
“Duhet zbatuar ligji deri kur të ketë vendime të formës së prerë të gjykatave. Pati një vendim të marrë për Elbasanin, sot ky impiant është në administrim dhe po kryhet procesi i kalimit nga administrim shtetëror i një aseti të sekuestruar në administrimin bashkiak. Gjërat janë siç na i thotë ligji”, theksoi Rama.
Kryeministri iu përgjigj edhe sa i takon çështjes “Becchetti”.
“Kur ai njeri, i cili është person në kërkim dhe është me kërkesë nga Prokuroria për krime ndaj këtij vendi do t’i marrë ato lekë, flasim përsëri”, u shpreh Rama. /j.p/
