Agjencia Telegrafike Shqiptare

Statuja e Cristiano Ronaldos shkakton polemika

NJU DELHI, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një statujë e re e superyllit të futbollit, Cristiano Ronaldo ka ndezur polemika në shtetin indian të Goas, ku vendasit kanë kundërshtuar vendimin për të nderuar një futbollist portugez në vend të një lojtari nga India.

Michael Lobo, një ministër në qeverinë e shtetit Goa, shkroi në Twitter se, statuja ishte menduar të promovonte futbollin si sport dhe të frymëzonte të rinjtë që të luanin lojën.

Një ditë pas zbulimit të statujës prej 400 kilogramë, protestuesit që mbanin flamuj të zinj u mblodhën në vend për të protestuar, sipas agjencisë indiane të lajmeve IANS.

Jo vetëm që protestuesit ishin të zemëruar me vendimin për të nderuar një futbollist të huaj, por fakti që zgjedhja kishte qenë një lojtar nga Portugalia u konsiderua si një fyerje e veçantë, duke qenë se vendi e drejtoi shtetin e Goas si një koloni për shekuj.

Lobo i tha IANS se protestuesit thjesht e urrenin futbollin.

Ndërsa kriket mbetet sporti më popullor në Indi, në disa zona që nuk u kolonizuan nga britanikët, si Goa, futbolli gëzon më shumë popullaritet.

Pavarësisht se ka një popullsi prej më shumë se 1.3 miliardë banorë, India luante më keq futboll se shumë vende të tjera më të vogla, tha Lobo për ANI. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version