TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjes.
“Mirëmëngjes në këtë ditë të bekuar paqeje, pushimi, reflektimi dhe shprese”, tha Kryeministri Rama, ndërsa ndau një video nga sfida e përballjes me tërmetin e nëntorit 2019.
Kryeministri solli në kujtesë punën e bërë në kuadër të Programit të Rindërtimit, falë së cilit mijëra familje përfitojnë banesa të reja falas me kushte bashkëkohore.
Pamjet e videos risjellin imazhe nga momentet tragjike të lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019, operacionet e kërkim-shpëtimit në rrënoja, përballja me sfidën e strehimit të përkohshëm të banorëve të dëmtuar, e deri te rindërtimi i lagjeve të reja me pallate e shtëpi individuale, të cilat kanë filluar t’i dorëzohen banorëve.
Programi i Rindërtimit vazhdon deri në strehimin e familjes së fundit të prekur nga tërmeti. /m.m/
