TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot mënyrën e ngritjes, administrimit, mirëmbajtjes së bazës së të dhënave për rininë, si dhe mënyrën e ndërveprimit të saj me bazat e tjera të të dhënave shtetërore.
Qeveria vendosi krijimin dhe funksionimin e bazës së të dhënave për rininë, si regjistër elektronik për rininë (RER).
Agjencia Kombëtare për Rininë (AKR), si institucioni përgjegjës për rininë, administron RER-in dhe është dhënës i informacionit, në kuptim të legjislacionit për bazat e të dhënave shtetërore.
Sipas vendimit, të dhënat e mbledhura nga RER-i mund të përdoren për kërkime shkencore e statistikore, analiza, vlerësime apo projekte të ndryshme, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Të dhënat e RER-it përditësohen periodikisht nga AKR-ja, sa herë është e nevojshme apo ka ndryshime të këtyre të dhënave.
Niveli i aksesimit në sistemin për personat e interesuar të bazës së të dhënave RER përfshin të rinjtë, organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë.
Baza e të dhënave të RER-it ndërvepron nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me bazën e të dhënave të regjistrit gjyqësor për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse (OJF-ve); bazën e të dhënave të regjistrit tregtar; bazën e të dhënave të informacionit të planifikimit të integruar – SIPI./m.m//a.a/
