Agjencia Telegrafike Shqiptare

KAS rrëzon kërkesën për sanksion administrativ ndaj Pullazit

TIRANË 21 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi kërkesën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosje sanksioni administrativ ndaj administratorit të njësisë 2.

Komisioneri i kërkoi KAS të vendoste sanksion administrativ Florian Pullazit, administrator i njësisë administrative nr. 2, për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator në KQZ.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së Komisionerit për vendosje të sanksionit administrativ, në shumën 5 mijë lekë për Pullazi. KAS arriti në konkluzionin se administratori i Njësisë Administrative nr. 2 nuk është personi ligjërisht përgjegjës për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në bibliotekën e njësisë nr. 2.

KAS vlerësoi se është detyrë e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve që të përcaktojë qartë personat përgjegjës për shkeljen konkrete të ligjit, të konstatuar nga hetimi i bërë nga Komisioneri, dhe të riparaqesë në KAS, nëse e konsideron të arsyeshme një propozim konkret për sanksion administrativ për personat realisht përgjegjës. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version