Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protestë e thirrur nga Berisha kundër “Ballkanit të Hapur”

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Ka nisur protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër nismës rajonale  “Ballkani i Hapur” dhe aferës së inceneratorëve që po hetohet nga SPAK.

Mbështetësit e Berishës u mblodhën pranë selisë së PD-së në orën 15:30 për t’u nisur drejt kryeministrisë për të protestuar kundër takimit të “Ballkanit të Hapur” dhe korrupsionit me inceneratorët.

Demonstruesit u nisën nga selia e PD-së drejt Kryeministrisë për të protestuar siç është paralajmëruar rreth një orë.

Protestën e hapi ish-deputeti i PD-së, Aldo Bumçi i cili u shpreh se protestohet kundër projektit të “Ballkanit të Hapur” që, sipas tij, do të çimentojë regjime autoritare e do të legalizojë shitësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut të lirisë e të demokracisë.

“Ata që bënë aleancë më krimin që ndërtuan narkoshtetin në Europë duan të paraqesin para botës sikur janë garantuesit e vlerave evropiane, paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky është Ballkani”, tha ai.

“Në vitin 2013 u arrit marrëveshja e Brukselit Kosovë-Serbi ku investimi i BE-SHBA ishte një njohje përfundimtare që Serbia të njihte Kosovën në territorin e saj. Kosova ishte njohur në atë kohë nga 100 shtete. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e gjeti pavarësinë e saj të bazuar në ligje ndërkombëtare dhe kur pritej një marrëveshje e madhe aleanca  Rama-Vuçiç paraqiti projektin e ndarjes të Kosovës që është thika pas shpine dhe dëmi më i madh që i ka bërë Kosovës”, tha Bumçi.

Para demokratëve në protestë foli edhe ish-deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli e cila tha se ata politikanë që janë kombëtarë, s’ka si mos të jenë pro-amerikanë.

“Nuk ka shans, shtiren si pro-amerikanë ata që u ngritën kundër kombit të vet, kundër popullit të vet. Amerika është me shqiptarët, është me popullin shqiptar, ndërsa shqiptarët janë me Sali Berishën”, tha ajo.

Ish-presidenti Bujar Nishani i është bashkuar protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Nishani theksoi se Ballkani i Hapur është një projekt i mbrapshtë anti-amerikan dhe u shpreh falënderues ndaj qytetarëve që kanë dalë në shesh për ta kundërshtuar atë.

Protestuesit në bulevard dogjën flamurin serb të vendosur për takimin e “Ballkanit të hapur”.

Berisha: “Ballkani i hapur”, projekt fantazmë

Ish-kryeministri Sali Berisha mbylli protestën e thirrur ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe aferës së inceneratorëve, duke bërë thirrje që shqiptarët të ngrihen në mbrojtje të interesave më jetike të kombit shqiptar. Berisah e cilësoi nismën rajonale “Ballkani i hapur” si një projekt fantazmë të aleancës Beograd-Tiranë-Shkup.

“Dua të garantoj shqiptarët dhe miqtë tanë se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. E kundërta është e vërtetë. Ne jemi, kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar për një bashkëpunim të sinqertë të frytshëm rajonal, për integrimin rajonal në kuadrin e integrimit evropian dhe euro-atlantik. Por kjo është një protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit përmes Beogradit, kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnjë-Hercogovina, Mali Zi dhe Kosova dhe është shpallur si kërcënim nga Kroacia. Projekti nuk synon gjë tjetër vetëm se vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon. Ne jemi kundër këtij projekti se historia ka faktuar se një nga dështimet më të mëdha në Ballkan e në Europë dhe botë ka qenë ideja e hegjemonizmit serb në gadishullin tonë. Ne jemi kundër këtij projekti se bie ndesh me interesat tona kombëtare”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Vuçiç dhe Edi Rama kanë rrethuar Kosovën në një darë armiqësore dhe kërkojnë ta asgjësojnë pavarësinë e saj.

“Sot ne protestojnë këtu të gjithë qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjës të cilët shohin në projektin djallëzor të Ballkanit të Hapur një përpjekje aventurierësh për të zëvendësuar nismën e Berlinit, projektin evropian të integrimit të vendit tonë në BE”, tha Berisha.

Berisha shtoi se protesta është një protestë për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. “Aleksandër Vuçiç ka ardhur këtu si udhëheqës i Ballkanit të Hapur, si udhëheqës i aleancës triraterale Beograd-Shkup-Tiranë. I tillë nuk do jesh kurrë i mirëpritur në Tiranë”, përfundoi Berisha.

Pas mbarimit të protestës para Kryeministrisë, ish-kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediet u shpreh se kjo ishte një protestë e thirrur në 48 orë.

“Një gjë është e sigurt se sot PD e rithemeluar në vlerat e saj është një shumicë e jashtëzakonshme, është grupacioni më i lirë i kësaj toke që nuk e përkul dot dhe nuk e mposht dot asgjë, është revolucion. Ky është një revolucion i pandalshëm”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se kjo është një betejë personale pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Berisha u shpreh se ngjarje të caktuara nxisin zhvillime të mëdha.

“Ajo që thoni ju nuk mund të them se ka pasur një rol, por kurrë kjo masë njerëzish, këto transformime të jashtëzakonshme në dy muaj nuk mund të jenë të lidhura me një problem personal. Pra, nuk është halli i Sali Berishës, por përkundrazi, janë hallet e injoruara në mënyrë të tmerrshme të qytetarëve shqiptarë nga njeriu që përfundoi me metamorfozën më të shpifur, atë të bravës”, u shpreh Berisha. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version