TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se, “Shqipëria renditet e para në rajon për nivelin e varfërisë, të çmimeve dhe borxhit publik dhe e fundit në Evropë për të ardhurat për frymë e konsum”.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Meta theksoi se, “sipas të dhënave të EUROSTAT për vitin 2020, Shqipëria rezulton se të ardhurat për frymë i ka 30 % të mesatares së Bashkimit Europian, pas saj renditet Bosnjë dhe Hercegovina me 33 %, Maqedonia e Veriut me 38 %, Serbia 43 % dhe Mali i Zi me 45 %”.
“Për konsumin individual për frymë, që mat mirëqenien familjare, Shqipëria është sërish e fundit në Europë, me 39 % të mesatares së BE-së, përkundrejt 42 % në Bosnjë dhe Hercegovinë, 43 % në Maqedoninë e Veriut, 51 % për Serbinë dhe 59 % për Malin e Zi”, tha ai.
Ndërkohë, shtoi Meta, “niveli i çmimeve në Shqipëri, së bashku me Malin e Zi, është më i larti në rajon me 53.5 %, Serbia 52.3 %, Bosnjë-Hercegovina 51.9 % dhe Maqedonia e Veriut me 46 %”.
Gjithashtu, nënvizoi Meta, “Shqipëria pas Malit të Zi, renditet ndër vendet me nivelit më të lartë borxhit publik me 77.9 %, e ndjekur nga Serbia me 58.9 %, Maqedonia e Veriut me 51.3 %, Bosnjë dhe Hercegovina me 36.7 % dhe Kosova me 24.1 %”.
Sa i përket nivelit të varfërisë, Meta shtoi se, “Shqipëri mban vendin e parë me rreth 33 % të popullsisë me të ardhura nën 5.5 $ në ditë, duke lënë pas Kosovën me 23.4 % e popullsisë, Malin e Zi me 20 %; Maqedoninë e Veriut me 18 % dhe Serbinë 18.4 %”.
“Në ligjin për “Buxhetin 2022” konstatova se Qeveria nuk ka marrë masat e duhura ekonomike dhe sociale për të përmirësuar të gjithë këto tregues negativë. Për këtë arsye vendosa të mos ta dekretoj me miratim “Buxhetin 2022”, që thellësisht është antisocial”, u shpreh Meta.
“Është koha për të rishikuar Buxhetin e Shtetit në mbështetje të qytetarëve, të shtresave më në nevojë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke investuar në mënyrë konkrete aty ku duhet të jenë përparësitë, jo tek koncesionet, inceneratorët dhe PPP-të”, tha Meta.
/j.p/r.e/
