TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Londër.
Takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor u organizua me ftesë të Sekretares britanike për Punët e Jashtme, Elizabeth Truss.
Ministrja Xhaçka në fjalën e saj tha se, ky është një takim që vjen në një moment delikat për rajonin tonë dhe se vëmendja e aleatëve tanë është garanci për avancimin e rajonit në rrugën e integrimit euroatlantik.
Xhaçka tha se në takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë ka theksuar se Shqipëria është një kontributore e rëndësishme në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
“Jam krenare që Shqipërisë i njihet nga të gjithë aleatët merita e të qenurit faktor stabiliteti dhe aktore e përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik. Angazhimi i aleatëve tanë është kusht për suksesin e këtij procesi”, deklaroi Xhaçka.
Sipas saj, aleatët janë të vendosur për hapjen e një kapitulli të ri të angazhimit ekonomik me Ballkanin Perëndimor. Ministrja po ashtu komentoi edhe nismën “Ballkani i hapur”.
Xhaçka tha se “Ballkani i hapur” është hapësirë gjithëpërfshirëse ekonomike dhe zhvillimore.
“Lajmi i mirë gjatë takimit me zyrtarët në Londër, por edhe me ata të SHBA-së dhe BE-së, është vendosmëria e tyre për të hapur një kapitull të ri të angazhimit ekonomik me rajonin tonë duke e parë gjithnjë më shumë atë si një hapësirë të vetme ekonomike dhe zhvillimore gjithëpërfshirëse, siç është ajo që parashikon edhe nisma e “Ballkanit të hapur”, që gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe që në gjykimin tonë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, që do të thotë që ne duam që pjesë e saj të bëhet edhe Kosova, Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi. Kjo nuk do të thotë t’i detyrojmë të bashkohen kundër vullnetit të tyre në atë që në këtë fazë është ende punë në progres, por do të thotë që do të punojë pa u lodhur për të shpjeguar nismën dhe që të 6 vendet t’i bashkohen kësaj hapësire të vetme ekonomike të lidhur së bashku nga zbatimi i 4 lirive të BE-së, njerëzore, ekonomike, sociale dhe politike, që zbatimi i tyre do të përgatisë kështu vendet për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Xhaçka.
/a.a/r.e/
