Rritet me 6.3 % treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) vijoi prirjen rritëse në muajin nëntor duke arritur vlerën më të lartë të pesë viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë publikoi vrojtimin e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, sipas të cilit treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 6.3 % në muajin nëntor, krahasuar me një muaj më parë.

Rritja e treguesit reflektoi kryesisht vlerësimin optimist të bizneseve për porositë aktuale.

Sipas vrojtimit, bizneset vlerësuan gjithashtu në përmirësim aktivitetin ndërtues gjatë muajve të fundit.

“Rritje regjistruan dhe pritjet për nivelin e punësimit dhe të çmimeve në të ardhmen”, bën të ditur BSH-ja.

Ndërtimi në vendin tonë është sektor i rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Vitin e fundit, këtij sektori iu shtua edhe programi i Rindërtimi pas tërmetit, më i madhi i realizuar ndonjëherë në vendin tonë, përmes së cilit janë angazhuar 175 kompani të vogla, të mesme e të mëdha.

Ndërsa procesi i Rindërtimit, angazhoi edhe një numër të lartë të punësuarish, duke shënuar një rritje me 5 % të të punësuarve në sektorin e ndërtimit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.