Nikolla: 8 Dhjetori më shumë sesa kujtimi i një ngjarjeje

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ishte sot e pranishme dhe  përshendeti në veprimtarinë kushtuar Ditës Kombëtare të Rinisë dhe prezantimit të vizionit dhe platformës së Tiranës, si Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, organizuar nga bashkia e Tiranës në Pallatin e Kongreseve.

Në përshëndetjen e saj në këtë veprimtari, Kryetarja e Kuvendit, Nikolla, nënvizoi se “8 Dhjetori, më shumë sesa kujtimi e nderimi i një ngjarjeje, është një dedikim dhe investim për të ardhmen, në radhë të parë, të ardhmen e rinisë”.

“Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë, është një mundësi që kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe rinia e Shqipërisë, të kontribuojnë në fuqizimin e vlerave evropiane, në ngjyrat, kulturën, entuziazmin dhe optimizmin e kontinentit tonë të vjetër. Demokracia, konsolidimi i sistemit dhe institucioneve, qytetërimi, kultura, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, përfshirja dhe solidariteti social janë disa prej tyre, të cilat kërkojnë kontribute rinore”, theksoi Nikolla.

“Shoqëritë bashkëkohore presin nga rinia, por edhe ju keni pritshmëritë tuaja ndaj shoqërisë”, vuri në dukje Kryetarja e Kuvendit.

Nikolla tha se, “investimet për rininë janë investimet më inteligjente dhe që i shërbejnë zhvillimit të vendit në mënyrën më të qëndrueshme dhe më afatgjatë”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.