Investime në teknologji dhe pajisje, mbi 108 miliardë lekë kredi

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Investimet në rritje në kapacitetet prodhuese në makineri dhe pajisje, janë një tregues i rëndësishëm për ecurinë e ekonomisë së vendit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, portofoli i kredisë për makineri dhe pajisje ka vazhduar rritjen dhe në fund të tetorit 2021, arriti vlerën 108.4 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, huadhënia për investime në kapacitetet prodhuese në makineri dhe teknologji bashkëkohore, u rrit me 7.5%.

Ndërkohë importet e këtij grupi gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, shënuan vlerën 123,8 miliardë lekë, me një rritje me 7.8 %, kundrejt vitit 2020.

Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve. Nga ana tjetët, huadhënia e bankave është më e orientuar drejt mbështetjes së investimeve, përfshi pronat, makineritë dhe pajisjet, që tashmë përbëjnë 55% totalit të kredisë për kompanitë private.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.