PS uron zgjedhjen e Kancelarit gjerman: Garanci më shumë në procesin e integrimit

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri uroi sot qeverinë e re gjermane dhe kancelarin Olaf Scholz.

“Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë i uroj suksese qeverisë së re gjermane dhe Kancelarit Olaf Scholz. Kabineti i koalicionit qeverisës, udhëhequr prej socialdemokratëve, i cili merr sot votën e Bundestagut, do të jetë një garanci më shumë për mbështetjen e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian”, tha Gjiknuri.

Ai theksoi se “Partia Socialiste dhe SPD do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në frymën e mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi Kancelarin e ri të Gjermanisë Olaf Scholz, i cili mori në Bundestag mbështetjen e 395 deputetëve.

Balla tha se pas Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröder, tashmë Scholz është Kancelari i katërt socialdemokrat në historinë e Gjermanisë.

Taulant Balla është dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani në Kuvendin e Shqipërisë.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.