Bashkia e Tiranës përkujton Ditën e Rinisë, Soreca: Tirana ka treguar shumë ide të shkëlqyera

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Mes entuziazmit të të rinjve dhe këngëve legjendare të rinisë së viteve ‘90, Bashkia e Tiranës ka përkujtuar Ditën Kombëtare të Rinisë, që i paraprin morisë së aktiviteteve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë për 2022.

Edea Demaliaj dhe Vitmar Basha risollën në kujtesën e publikut në Pallatin e Kongreseve këngët e atyre viteve, të asaj rinie, që me guxim të paprecedent ndryshoi përgjithmonë historinë e shqiptarëve atë natë të ftohtë të vitit 1990.

Nuk munguan as këngët italiane nga këngëtarja e njohur Marsela Çibukaj, e cila erdhi dhe në rolin e prezantueses.

Ministrja italiane për Politikat Rinore, Fabiana Dadone dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, inkurajuan të rinjtë që të luajnë një rol aktiv në shoqëri dhe në ndërtimin e demokracisë shqiptare.

“Tirana e ka fituar këtë titull “Tirana European Youth Capital”, sepse ka treguar se sa shumë ide të shkëlqyera kanë të rinjtë e Tiranës dhe ndryshimet që mund të sjellin ata. Më lejoni t’i uroj gjithë të mirat kryebashkiakut Veliaj dhe ekipit të tij. Delegacioni i BE është këtu për ta mbështetur këtë program dhe për të punuar ngushtësisht me ju”, theksoi Soreca në mesazhin e tij.

Nuk munguan as videomesazhet nga Ermal Meta që është dhe ambasadori ynë kulturor përtej Adriatikut, si dhe futbollisti i kombëtares Sokol Cikalleshi, që ka ngritur peshë zemrat e shqiptareve teksa luan me fanellën kuqezi.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.