Basha: 8 Dhjetori ndau të shkuarën nga e ardhmja

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një reagim me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë e cilësoi 8 Dhjetorin 1990, si ditë që ndau të shkuarën nga e ardhmja dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë.

“31 vite më vonë, thirrja për Shqipërinë si gjithë Europa mbetet një kushtrim për të përmbushur amanetin e të rinjve dhe të rejave që sakrifikuan për liri e demokraci, si dhe për të mbajtur gjallë forcën, guximin dhe idealet e Dhjetorit ‘90, përballë një tjetër diktature, që po varfëron dhe largon bijtë dhe bijat e shqiptarëve, atë të korrupsionit.
Gëzuar 8 Dhjetorin!”, u shpreh Basha.
Prej vitit 2009, 8 Dhjetori me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.