Balluku në Korçë: Reforma e ujit, domosdoshmëri për rritjen e eficiencës

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot në Korçë, takimin e radhës me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e ndërmarrjeve të Ujësjellës Kanalizimeve, për qarkun Korçë, ku diskutoi për reformën në sektorin e ujit.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësuesit e bashkive Korçë, Pogradec, Ersekë, Pusnec.

Balluku bëri një prezantim të performancës së ndërmarrjeve të UK në këtë qark, teksa vuri në dukje se “reforma në këtë sektor është një domosdoshmëri për rritjen e eficiencës së shërbimit dhe ndryshimin rrënjësisht të situatës aktuale”.

“Në qarkun e Korçës padyshim kemi situatën më të mirë në të gjithë vendin në sektorin e ujit. Megjithatë reforma do të prek edhe rajonin tuaj pasi ajo kërkon të reformojë sektorin në përgjithësi”, theksoi ministrja.

Por një çëshjet që jemi përballur kohët e fundit, vijoi ajo, është siguria e furnizimit me ujë. Balluku tha se “të gjitha depot e furnizimit me ujë të gjitha burimet, tubacionet janë pjesë e infrastrukturës kritike e cila në analizat tona nuk na rezulton se përmbush parametrat e sigurisë të mirëfilltë, por edhe sanitare. Kështu që pjesë e reformës është edhe një strategji e AKUM-it për unifikimin e nivelit të sigurisë në të gjitha burimet apo depot, kudo në Shqipëri, por gjithashtu edhe një monitorim i ri, përmes teknologjisë dhe digjitalizmit”.

“Përmes digjitalizimit të disa sektorëve, do të arrijmë të kemi indikatorë pozitivë dhe shërbimin e duhur për qytetarët”, deklaroi Balluku.

Ministrja u ndal te problematikat e këtij sektori, ndërsa paraqiti edhe disa statistika konkrete në këtë fushë.

Ajo tha se numri i kontratave në Korçë është 29 147 dhe numri i popullsisë së shërbyer është 118 603. Në Pustec, numri i lidhjeve është 737 dhe i shërbehet 50 % të popullsisë në këtë zonë, në Maliq janë 10 242 lidhje dhe u shërbehet 41 487 banorëve, në Devoll janë 9 910 kontrata dhe u shërbehet të gjithë banorëve që janë mbi 40 mijë, në Kolonjë kemi 4 232 kontrata dhe u shërbehet të gjithë banorëve që arrijnë në shifrën mbi 15 mijë.

Në shkallë qarku mbulimi i furnizimit me ujë është në shifrën e 81.1 %. Korça ofron 91.2 % mbulim, Maliqi 65.5 %, Pusteci 57.7 %, Devolli 97,3% , Erseka mbulon 100 %.

“Sot flasim për problemin e ndërmarrjeve të ujësjellësit në rang qarku, por në disa raste për shkak të gjeografisë mund të kemi dy ndërmarrje ujësjellësi, por më shumë nuk më rezulton”, tha Balluku. Ajo evidentoi faktin, që sa më e vogël është ndërmarrja, aq më e ulët është performaca e saj, në të gjithë indikatorët. Balluku solli në vëmendje raportin e numrin e punonjësve për kontratë.

Ministrja u ndal edhe te numri i punonjësve në këto ndërmarrje.

Sipas saj, indikatori i vendosur parashikon që duhen 4.6 punonjës për 1 mijë kontrata. Vetëm në rastin e Korçës kemi 2,7 punonjës për 1000 kontrata dhe Erseka ka 3.5 punonjës për 1 mijë kontrata. Dhe vetëm në rastin e Korçës dhe të Ersekës kemi eficiencën më të lartë se vetë indikatori.

“Por nga ana tjetër kemi bashkinë Pustec, që ka 13,4 punonjës për 1 mijë kontrata dhe ndërkohë që kjo bashki ka 734 lidhje, pra më pak se 1 mijë kontrata, por ama ka dhe numrin më të lartë të punonjësve”, u shpreh Balluku, teksa vuri në dukje se, “kjo është mungesa totale e eficiencës së ndërmarrjeve të vogla. Gjithashtu tha ajo, në ndërmarrjet e vogla shohim edhe diferencë të lartë të konsumit të ujit mes abonentëve familjarë dhe atyre të biznesit, ku favorizohet biznesi dhe i faturohet konsumi qeverisë”.

Lidhur me orët e furnizimit me ujë, ministrja theksoi se Korça ka 24 orë, Bilishti me 23,5 orë, Maliqi me 15.3 orë, Erseka me 20 orë dhe Pusteci me 12,7 orë.

Rasti i Korçës tha ajo, është një rast studimor krahasimor edhe për qarqet e tjera. “Këtu kemi 7.4 m3 ujë mesatarisht konsum për familjet, konsumi i privatit 7.5 m3 dhe konsumi institucioneve 66.2 m3. Në Pustec konsumi i ujit është 5.5 m3 për familjarët, 1.4 m3 për biznesin dhe 66.7 m3 për institucionet, e njëjta gjë edhe Devolli”, tha Balluku.

“Brenda qarkut tuaj vihen re qartë problemet në ndërmarrjet e vogla. Ndaj, në kuadër të kësaj reforme, të gjithë ndërmarrjet e qarkut do të agregojnë pranë Ujësjellësit të Korçës, i cili do të vazhdojë të mbajë të gjitha funksionet e ndërmarrjes, por duke angazhuar grupe operacionale në çdo bashki”, u shpreh Balluku.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.