Vrojtimi i BSH: Rritet besimi i biznesit dhe i konsumatorëve në ekonomi

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Biznesi dhe konsumatorët kanë rritur besimin në ekonominë e vendit dhe pritshmërinë për rritje në një pjesë të mirë të sektorëve.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 0.9 pikë në muajin nëntor, pasi kishte regjistruar rënie në tre muajt e mëparshëm. Niveli aktual i tij qëndron 8 pikë mbi mesataren afatgjatë”, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Vrojtimi i besimit të biznesit dhe konsumatorëve në ekonomi, publikuar nga BSH-ja, thekson se, “rritja e TNE-së u përcaktua kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e ndërtimit”.

“Besimi në sektorët e industrisë dhe të tregtisë regjistroi rënie të lehtë, ndërsa besimi në sektorin e shërbimeve mbeti pothuaj në të njëjtin nivel me muajin e mëparshëm. Besimi konsumator regjistroi gjithashtu përmirësim në muajin nëntor,” thuhet në raportin e vrojtimit.

Ndërkohë ekonomia në vendin tonë po ndjek trajektoren e rritjes së qëndrueshme. Sipas të dhënave nga INSTAT Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 17.89 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2020.

Rritja ekonomike në tremujorin e dytë u mbështetet nga një gamë më e gjerë sektorësh ku dominojnë turizmi me shërbimet, aktiviteti tregtar dhe degë të tjera, sidomos telekomunikacioni dhe shërbimet financiare.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.