Rindërtimi në Shijak, Arbana: Shtëpi të reja falas për 802 familje

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Në kuadër të Programit të Rindërtimit në bashkinë e Shijakut janë ndërtuar 802 shtëpi, 5 shkolla e kopshte, si dhe janë rikonstruktuar 27 pallate, ndërkohë që 31 pallate pritet të përfundojnë në mars 2022.

Në një intervistë televizive, kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana tha se “procesi i Rindërtimit ka ecur mjaft mirë, madje përtej pritshmërive”.

“Duhet të kemi parasysh që muajt e parë të pandemisë u ngadalësua disi procesi, detyrimisht. Më pas është punuar intensivisht për t’i dhënë falas shtëpinë e re individuale 802 familjeve. Gjithashtu dhe apartamentet e 27 pallateve në Shijak janë rikonstruktuar dhe sistemuar të gjitha dëmet. Kemi ndërtuar nga e para 4 shkolla dhe kopshtin nr.1”, tha ai.

Ndërkohë Arbana tha se 31 pallate pritet të përfundojnë në muajin mars të vitit 2022. Sipas tij, “familjet e pastreha po vazhdojnë të marrin bonusin e qirasë”.

Duke folur për prioritetet e vitit 2022, Arbana veçoi përfundimin e pallateve të nisura, sfidën për një Shijak sa më të pastër dhe mbjelljen e sa më shumë pemëve.

“Fatmirësisht solidarizimi ka qenë maksimal, që në momentet e para kur ra tërmeti, strehuam njerëzit dhe i dhamë tre vaktet e ngrohta. Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare kanë qenë mbështetje e madhe për shijakasit. Rindërtimi riktheu shpresën e humbur. Qeveria zviceriane ka qenë nga donatorët e granteve të rikonstruksionit të një pjese të pallateve në Shijak. Jam falënderues për këdo që na ka ndihmuar në momentet tona më të vështira dhe ka treguar solidaritet ndaj familjeve të pastreha”, shtoi ai.

Arbana falënderoi banorët e Shijakut për durimin që kanë treguar deri tani, durim i cili ai siguroi se “do të shpërblehet shumë shpejt, me një ndryshim rrënjësor që po i bëjmë qytetit pas tërmetit, për ta parë Shijakun më të zhvilluar dhe më të bukur”.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.