Nedim Bajrami, gola dhe asist në fitoren e Empolit

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Mesfushori i talentuar i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami duket se po kthehet në formën e tij më të mirë me “Empolin” në Serinë A, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të skuadrës ashtu si edhe sezonin e kaluar.

Bajrami ishte lojtari kyç në fitoren 3-1 ndaj “Udinezes” duke udhëhequr përmbysjen me asistin e golit të tretë dhe duke shënuar golin e dytë të sfidës.

Shqiptari shfrytëzoi siç duhet mundësinë në minutën e 59-të, kur një krosim nga e majta nuk u dal dot plotësisht nga portieri i “Udinezes” dhe Bajrami ishte në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë. Në minutën e 78-të erdhi dhe momenti që vulosi ndeshjen teksa mesfushori kuqezi depërtoi në zonë nga e djathta dhe pasoi në qendër të zonës për Pinamontin, i cili e kishte të lehtë të shënonte golin e tretë.

Nedim Bajrami ka realizuar këtë sezon 3 gola dhe 3 asiste në 14 ndeshje të luajtura në Serinë A, teksa është vlerësuar me notën 8.8 nga faqja e specializuar Sofascore. “Empoli” është aktualisht në vendin e 11-të të renditjes me 23 pikë të grumbulluara.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.