Mbi 180 mijë mjete u paraqitën për kontroll teknik në qershor-nëntor

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Mbi 180 mijë mjete janë paraqitur për të kryer kontrollin teknik, nga të cilat rreth 27.9 % janë refuzuar duke u dërguar për riparime, shërbime, montim pjesësh përgjatë periudhës qershor-nëntor 2021.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se, nga data 31 maj deri në fund të nëntorit, janë paraqitur për testim mbi kontrollin teknik 180,816 mjete, nga të cilat 69.6 % automjete, 19.2 % kamionë, 5.7 % motomjete, 3.1 % autobusë, 2.3 %  rimorkio dhe 0.4 % mjete ndërtimi/punë toke.

“Rrugë e qytete më të pastra dhe më të sigurta, sepse mjetet e rrezikshme për jetën e drejtuesve të mjeteve, por edhe të pasagjerëve e përdoruesve të tjerë të rrugës nuk e kalojnë dot më testin e kontrollit teknik”, bën të ditur DPSHTRR.

DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve të riparojnë në afat ligjor mjetet e tyre dhe ti kontrollojnë ato para se të dalin në rrugë, pasi Kodi Rrugor i bën ata përgjegjës nëse dalin në qarkullim me mjet me mangësi teknike ose funksionale.

DPSHTRR kujton se për këtë ka edhe penalizime që janë masa, gjoba, pezullim licencash dhe deri në nxjerrje të përhershme të mjetit nga qarkullimi.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.