Krifca: 600 milionë lekë shtesë mbështetje direkte për blegtorët e bletarët

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, zhvilloi një takim me fermerë, me të cilët ndau edhe lajmin nga mbledhja e fundit e qeverisë, për miratimin e aktit normativ për rritjen e fondit të mbështetjes direkte për fermerët, për vitin 2021.

“Pas dëgjesave dhe diskutimeve të përbashkëta me fermerët gjatë javëve të fundit, si dhe pas vlerësimit të mundësive që na japin fondet buxhetore për t’ju përgjigjur nevojave tuaja, në mbledhjen e fundit të qeverisë mundëm të miratojmë rritjen e fondit të mbështetjes direkte për vitin 2021”, tha Krifca në fjalën e saj me fermerët.

Krifca komunikoi se, janë rialokuar fondet e pashfrytëzuara të këtij viti dhe do të përdoren tërësisht në shërbimin e fermerëve si pagesë direkte. Ministrja tha se me anë të aktit normativ në mbledhjen e fundit të qeverisë, është rritur me 600 milionë lekë fondi për pagesat direkte për fermerët për vitin 2021.

Krifca në fjalën e saj shtoi se, ky fond do të disbursohet menjëherë dhe do të mbështesë 3500 fermerë të tjerë, plus atyre 3000 që kanë përfituar gjatë këtij viti, me pagesa direkte në ferma blegtorale dhe në bletari. Ministrja tha se janë 2200 blegtorë dhe 1331 bletarë ata të cilët do të përfitojnë direkt.

“Më lejoni t’ju garantoj se, jemi maksimalisht të angazhuar për t’ju përgjigjur kërkesave dhe nevojave tuaja. Me këtë frymë, për t’u gjendur pranë jush në çdo hap, po ndërtojmë dhe mekanizmin e mbështetjes në buxhetin e vitit 2022”, vijoi Krifca.

Gjithashtu, ministrja vuri në dukje se, është shumë i rëndësishëm bashkimi i forcave për të garantuar zhvillimin.

Ministrja i siguroi fermerët se do të jetë partnerja e tyre në synimin për të rritur ofertën e prodhimit, për të koordinuar kulturat e duhura bujqësore për eksport, për të adoptuar teknologjitë e duhura, si dhe për të konsoliduar protokollet moderne të prodhimit.

“Jemi bashkë për një bujqësi shqiptare, që i përgjigjet tregut dhe zhvillon zonat rurale. Më lejoni të ritheksoj se, do të jem në dispozicionin tuaj për çdo kërkesë që mund të keni në të ardhmen”, tha Krifca.

/a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.