Kim: SHBA, pjesë e përpjekjes rindërtuese për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim së bashku me ambasadoren e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad ishin sot në Durrës në kuadër të restaurimit të murit të kalasë, të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Duke shprehur në emër të ambasadës së SHBA ngushëllimet më të thella për 51 jetët e humbura në atë ditë fatkeqe, ambasadorja Kim në fjalën e saj u shpreh se, “2 vjet më parë, udhëtimin tim të parë jashtë Tiranës, sapo kisha ardhur si ambasadore këtu në Shqipëri, erdha për të parë se çfarë kishte ndodhur me efektet pas tërmetit”.

“Kur erdha këtu ishte muaji janar dhe më kujtohet fare mirë sesa shumë punë ishte duke u bërë me procesin e rindërtimit. E kuptoj gjithashtu që puna ende nuk ka mbaruar, por ende vazhdon me këtë proces”, tha Kim.

“Siç të gjithë jeni në dijeni, Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm. Ka vërtetë një histori shumë të pasur. Unë kam pasur mundësinë që të vizitoj kështjellat e saj, urat, veprat e artit dhe madje mbetjet e qyteteve të fuqishme antike”, shtoi Kim.

“Këto monumente qëndrojnë si dëshmitare të historisë së jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe të kulturës dhe qëndrueshmërisë së saj të palëkundur”, theksoi Kim.

“Besoj që kushdo që vjen në Shqipëri ka pasur mundësinë që të shikoj dhe admiroj atë që ju keni si trashëgiminë tuaj dhe dëshirën për t’i ruajtur këto thesare. Dhe madje më tej për t’ua përcjellë këto brezave të ardhshëm, dhe jo vetëm shqiptarë por të gjithë botës”, u shpreh Kim.

“Ne jemi vërtetë shumë krenarë si ambasadë e SHBA që të jemi pjesë e kësaj përpjekjeje rindërtuese, përmes Fondit të Ambasadorëve të SHBA për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Por gjithashtu jemi krenarë dhe tejet të kënaqur që të mund ta bëjmë këtë me miqtë tanë të ambasadës suedeze”, nënvizoi Kim.

Kim falënderoi edhe arkitektët dhe inxhinierët nga trashëgimia kulturore pa kufij, të cilët tha ajo, “kanë punuar pa u lodhur për të studiuar çdo detaj të kësaj pike referimi dhe për të siguruar që çdo pjesë të kuptohet dhe të mbrohet për brezat që do të vijnë”.

“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për të ndërtuar diçka nga fillimi, apo nëse bëhet fjalë për të rindërtuar diçka prej rrënojave ne jemi vërtetë të kënaqur që të mund të jemi në këtë proces hap pas hapi”, tha Kim.

“Jemi gjithashtu të kënaqur që kemi mundësi të shohim hapin e radhës që është ngritja e këtij shkëmbi 24 tonësh përpara jush”, përfundoi Kim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.