“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për sociologun dhe politologun, Gëzim Tushi

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” sociologun dhe politologun e spikatur, Gëzim Tushi.

Ky titull iu dha me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj vlerave të çmuara në fushën e sociologjisë, politologjisë dhe në jetën shoqërore shqiptare. Në vlerësim të meritave si studiues, vëzhgues, analizues i kujdesshëm dhe objektiv i transformimeve me natyrë politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shoqërisë shqiptare, veçanërisht në tri dekadat e fundit. Si kontribuues në fushën e botimeve, publikimeve, debateve publike, diskutimeve akademike, i cili ka spikatur nëpërmjet veprimtarisë qytetare dhe intelektuale në ndihmë të njerëzve me nevoja të veçanta psiko-sociale.”

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast në Institucionin e Presidentit të Republikës, Meta u shpreh, “i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë aktiv të tri dekadave të fundit, sociologun Gëzim Tushi, një intelektual i shquar, me kontribute të afirmuara në fushën e sociologjisë, politologjisë dhe në jetën shoqërore shqiptare”.

“Ai është një nga figurat me aktivitet të pandërprerë, intelektual aktiv dhe i përfshirë në mënyrë intensive në debatet e gjëra publike, diskutimet akademike e politike”, tha Meta.

“Kontributi i z. Tushi është i dukshëm, sidomos në ofrimin e ideve për zgjidhjen e problemeve sociale dhe të orientimit të shëndetshëm të individit, çështje që shqetësojë shumë shoqërinë tonë sot”, theksoi Meta.

“Ai është studiues këmbëngulës, dhe vëzhgues i hollë i problematikave të tranzicionit social dhe dukurive komplekse të shoqërisë shqiptare të viteve të demokracisë”, shtoi Meta.

“Sociologu Tushi ka analizuar me kujdes dhe objektivitet ndryshimet dhe transformimet pozitive të shoqërisë shqiptare, por edhe problematikat dhe devijimet morale e konceptuale të saj, në 30 vitet e fundit, duke evidentuar shkaqet me natyrë politike, ekonomike dhe sociale e kulturore”, nënvizoi Meta.

“Disa nga temat për të cilat z. Tushi është përkushtuar me këmbëngulje të madhe janë:  tema e gruas shqiptare, betejat gjinore, progresi, arritjet, por edhe dështimet e këtij problemi madhor e tejet shqetësues të shoqërisë shqiptare; Familja shqiptare, funksionimi dhe mosfunksionimi i saj, mënyra e edukimit të fëmijëve dhe investimi për një familje të shëndetshme, me qëllim pasjen e një shoqërie të tillë. Gëzim Tushi është investuar intensivisht në debate publike, konferenca shkencore apo diskutime akademike që janë zhvilluar në këto tri dekada, duke dhënë kontributin e tij të shquar në mendimin politik e sociologjik shqiptar,” theksoi Meta.

“Zoti Tushi është edhe një sociolog dhe mendimtar me krijimtari shumë të gjerë në fushën e botimit dhe publikimeve mediatike. Autor i 20 librave, apo afërsisht 10 mijë faqe krijimtari, në politologji e sociologji, që ai ka shkruar qindra e qindra artikuj teorikë, politikë e socialë, pothuajse në të gjitha organet e shtypit periodik. Gëzim Tushi është një nga personalitetet e jetës publike me kontribute në rubrika, emisione e debate radio-televizive, ku ka qenë protagonist me qindra herë, në trajtimin e temave sociale, politike apo ekonomike,” shtoi Meta.

“Ngjarjet e dy viteve të fundit bënë që sociologu Gëzim Tushi të përqendrohej në dy aspekte kryesore: efektet e pandemisë COVID-19 në jetën sociale, në punë, shkollë, marrëdhënie, traditat e zakonet e jetës, si dhe në analizën e gjerë të fenomenit shqetësues të krimit dhe vetëvrasjes në Shqipëri. Brenda vitit, panë dritën e botimit dy libra me vlerë: ‘Pandemia ose asgjë nuk do të jetë si më parë’ si dhe libri tjetër ‘Pse vriten dhe vetëvriten shqiptarët?’”, tha Meta.

“Aktiviteti i sociologut Tushi, si qytetar dhe intelektual është i gjerë në jetën e përditshme, duke pasur lidhje dhe bashkëpunime të vazhdueshme sociale e komunitare. Është i pranishëm kudo ku e kërkojnë për të zhvilluar tema sociale, ligjërata sociologjike, për të shtjelluar idetë, njohuritë sociale dhe paradigmat e sjelljes së qytetëruar, në takime publike të gjera, në shkolla, universitete, institucione publike apo private. Gëzim Tushi ka shfaqur gjithmonë gatishmërinë dhe ka ndihmuar shumë njerëz me nevoja specifike psiko-sociale. Ai ka këshilluar dhe ka orientuar shumë qytetarë në drejtime të tilla si, edukimi i fëmijëve, shqetësimet e jetës martesore, shkaqet e zgjerimit të divorcit, lufta kundër krimit dhe patologjitë të tjera, me të cilat përballet çdo ditë shoqëria jonë. Jam i bindur, që sociologu Gëzim Tushi do të vazhdojë të japë një kontribut të qenësishëm për shoqërinë shqiptare edhe në vitet dhe dekadat në vazhdim,” përfundoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.